Shkon në 417 numri i viktimave nga vërshimet në Mozambik

Një ministër i Mozambikut ka thënë se numri i personave të vdekur pas ciklonit dhe vërshimeve në pjesën jugore të Afrikës është më i madh se 400. Kombet e Bashkuara kanë paralajmëruar se në këtë shtet mund të ketë vërshime tjera.

Bota

23/03/2019 15:10

Cikloni “Idai” e goditi qytetin bregdetar të Beiras me erëra që kanë arritur shpejtësinë deri në 170 kilometra në orë gjatë javës së kaluar. Ky ciklon më pas është zhvendosur në Zimbabve dhe Malavi, duke shembur shtëpi dhe duke e vënë në rrezik jetën e miliona njerëzve.

“Situata po përmirësohet. Ende është në fazën kritike, por po përmirësohet. Për fat të keq, numri i të vdekurve po rritet. 417 persona kanë vdekur deri tash”, tha Celso Correia, ministër i tokës dhe mjedisit.

Këto vërshime kanë bërë që mijëra njerëz të përballen me vështirësi për të siguruar strehim, ushqim dhe ujë. Disa të mbijetuar janë strehuar në kisha dhe në qendra që ofrojnë strehim të përkohshëm. Qeveria dhe agjencitë ndërkombëtare po mundohen të dërgojnë ndihma në zonat e prekura.

Shiu i kësaj stuhie e ka shkaktuar rritjen e nivelit të ujit në lumenjtë “Buzi” dhe “Pungwe”, të cilët kanë dalë nga shtrati i tyre. Zyra e Kombeve të Bashkuara për Koordinim të Çështjeve Humanitare ka thënë se ekziston rreziku i vazhdueshëm që situata e vërshimeve të rëndohet edhe më tepër, shkruan “Reuters”