Shkencëtarët: Tualetet publike, ndër vendet më të rrezikshme për ta marrë koronavirusin

Shkencëtarët që janë të angazhuar për ta këshilluar qeverinë britanike kanë thënë se sëmundja Covid-19 do të përhapet më shumë gjatë dimrit dhe tualetet publike janë ndër vendet më të rrezikshme ku njerëzit mund të infektohen.

Bota

15/08/2020 09:24

Ekspertët paralajmëruan se tualetet publike mund të jenë të stërngarkuara dhe mund ta mbajnë virusin në shumë sipërfaqe të ftohta, shkruan Daily Mail.

Sipas ekspertëve, rrezik paraqet edhe përhapja e virusit përmes fekaleve dhe urinës, por nevojiten më shumë hulumtime për ta dëshmuar këtë.

Përpos këtij paralajmërimi, ekspertët publikuan edhe këshilla të tjera për qeverinë, përfshirë testimin e dyfishtë të personave që kthehen nga pushimet – një herë në aeroport dhe një herë shtatë ditë më vonë.

Ekspertët gjithashtu thanë se personat e infektuar me virusin HIV janë 63 për qind më të rrezikuar që të vdesin nga Covid-19 28 ditë pas infektimit me virusin e ri.

Arsyeja pse ekspertët besojnë që virusi do të përhapet më shumë gjatë dimrit është sasia më e vogël e rrezeve të diellit, lagështisë dhe temperaturave të larta, të cilat besojnë se e shkatërrojnë virusin.