Shkëlzen Maliqi: Objekti i ish-Gërmisë të mos rrënohet, ka vlera të mëdha

23:07 | 11 Korrik 2019

Publicisti i njohur Shkelzen Maliqi, ka reaguar për rrënimin e mundshëm të objektit të ish-Gërmisë, duke thënë se nuk ka kurrfarë logjike që të rrënohet kjo hapësirë, pasi që është me vlera arkitektonike dhe i përshatshëm për Muze të Arteve bashkëkohore.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Maliqi ka thënë se Besa Luzha dhe lobi që Sallën Koncertale e donte tek ish-Gërmia, po akuzojnë artistët e arkitektët se kanë penguar ndërtimin e saj, pasi që është ridestunuar fondi i BE’së.

Ai thotë se një gjë e tillë nuk është e vërtetë, pasi që vetëm po kërkohet një lokacion tjetër për këtë sallë.

“Besa Luzha dhe lobi që Sallën Koncertale e donte aty ku është objekti i ish Shtepisë së Mallrave “Gërmia” po akuzojnë komunitetin e artistëve figurativë dhe arkitektët se e kanë penguar ndërtimin e Sallës koncertale, pasi që qenka ridestunuar fondi i premtuar i BE-së. Kjo nuk është e saktë. Askush nuk ka qenë kundër sallës, por është kërkuar që të caktohet lokacion tjetër në qendër të Prishtinës”, ka shkruar Maliqi në Facebook.

Publicisti përfundon se mundësia për financimin e sallës nuk është humbur, por mbetet që të tjerët të angazhohen për këto dy objekte të kulturës, e jo të akuzohen mes vete.

Shkrimi i plotë:

Besa Luzha dhe lobi që Sallën Koncertale e donte aty ku është objekti i ish Shtepisë së Mallrave “Gërmia” po akuzojnë komunitetin e artistëve figurativë dhe arkitektët se e kanë penguar ndërtimin e Sallës koncertale, pasi që qenka ridestunuar fondi i premtuar i BE-së. Kjo nuk është e saktë. Askush nuk ka qenë kundër sallës, por është kërkuar që të caktohet lokacion tjetër në qendër të Prishtinës . Unë kam argumentuar se “Germia” është objekt me vlera arkitektonike dhe i përshtatshëm për Muze të arteve bashkëkohore, që është po aq i nevojshëm sa edhe salla koncertale. Shpend Ahmeti dhe Besa Luzha kanë insistuar që të rrëzohet “Germia” edhe kur është vënë nën mbrojtje, në vend që të përcaktohen për alternativa. Mundesia per financimin e salles nuk është humbur, por mbetet që të jemi solidar dhe angazhohemi për dy objekte kapitale të kulturës dhe jo të akuzohemi mes veti.