Shkelet sërish armëpushimi në Ukrainë, vriten 3 persona
Raportohet se dy ushtarë ukrainas dhe një separatist prorus janë vrarë në pjesën lindore të Ukrainës.
Bota
Zëdhënësi i ushtrisë së Ukrainës, Andriy Lysenko, tha sot se dy ushtarë janë vrarë dhe katër të tjerë janë plagosur gjatë 24 orëve të kaluara.
Kryengritësit thanë se një pjesëtar i tyre është vrarë dhe tre të tjerë janë plagosur.
Të dy palët e akuzojnë njëra-tjetrën për shkeljen e marrëveshjes për armëpushim të arritur në muajin shkurt në Minsk të Bjellorusisë, në kuadër të përpjekjeve për përfundimin e konfliktit, nga i cili prej prillit të vitit të kaluar, janë vrarë më se 6 mijë njerëz.
Lysenko tha se separatistët kanë hedhur predha kundër pozicioneve të ushtrisë së Ukrainës në më tepër se 10 raste afër qytetit Mariupol, që kontrollohet nga qeveria, dhe qytetit Donjeck, që është nën kontrollin e separatistëve prorusë.
Separatistët e akuzojnë ushtrinë e Ukrainës për 45 sulme kundër pozicioneve të tyre, përfshirë edhe ato në qytetin Spartak dhe Donjeck./REL/