Shkarkohet eksperti që ishte angazhuar për të hetuar dosjen e ish shefave në OSHP

Janë bërë disa lëvizje të zyrtarëve të cilët janë involvuar në hetimin e tenderit për ndërtimin e Autostradës A7, e njohur si “Autostrada e Gjilanit”.

Lajme

28/10/2019 20:36

Prokurorja e rastit Habibe Salihu ka bërë një hap rreth hetimeve për këtë tender. Ditë më parë, ajo kishte caktuar ekspertin ligjor i cili do të bëjë ekspertizën e tenderit.

Eksperti i caktuar, Basri Fazliu është shkarkuar nga detyra e ngarkuar, që ishte caktuar për ta bërë ekspertizën. Shkarkimi i tij, është bërë menjëherë pas raportimit të lajmi.net, ku është thënë se Basri Fazliu mund të përbënte konflikt të interesit gjatë këtyre hetimeve.

Lajmi.net kishte gjetur se Basri Falziu deri para pak muajve ka qenë njeri prej katër eksperteve të punësuar në Organin Shqyrtues të Prokurimit, e që i njëjti ishte angazhuar nga Prokuroria që të hetojë shkeljet e mundshme që mund t’i kenë bërë eproret e tij në OSHP kur e bënë rivlerësimin e tenderit që peshon rreth 100 milionë euro. Pos, pesë zyrtarëve të ministrisë, në kallëzimin penal të policisë për këtë rast janë të përfshirë edhe, kryetari i Organit Shqyrtues të Prokurimit, Blerim Dina dhe dy anëtarë tjerë, Nuhi Paçarizi dhe Goran Milenkoviç.

Po ashtu, lajmi.net kishte raportuar se Falziu është shok edhe me kryetarin e Komisionit të vlerësimit të tenderit, Isa Berisha, i cili është pjesë e hetimeve.

Lajmi.net ka kërkuar përgjigje edhe nga OSHP-ja lidhur me atë se cilat kanë qenë arsyet e largimit të zyrtarit të tyre, Basri Fazliu, por ky institucion nuk është përgjigjur.

Dihet që puna e ekspertëve shqyrtues ka rëndësi të madhe në funksionimin e mirëfilltë të OSHP-së, pasi që të njëjtit bëjnë shqyrtimin e pretendimeve ankimore të palëve ankuese dhe dalin me një rekomandim për panelin shqyrtues. Rekomandimi i ekspertëve në raportin e ekspertizës shpesh konsiderohet si udhëzues i vendimeve të OSHP-së ndaj ankesave të kompanive.

Qe disa muaj Policia e Krimeve Ekonomike e ka përfunduar punën e vet rreth hetimit të tenderit multimilionësh për ndërtimin e autostradës së Gjilanit. Ky organ ka gjetur shkelje të ligjit nga ana e Ministrisë kur ka lidhur kontratë me kompanitë që po ndërtojnë këtë autostradë. Hetimi i ishte caktuar prokurores së Prokurorisë Speciale, Habibe Salihi.

Lajmi.net kishte gjetur se Dhurata Salihu, e cila është vajza e Prokurores së rastit ishte pjesë e garës për deputete në zgjedhjet e 6 tetorit, si anëtare e AAK-së, e cila  mbante numrin 96 në listë. Por, e njëjta nuk ka arritur të marrë votat e nevojshme për deputete. /M. B -Lajmi.net/