Shkarkimi, mësim për zyrtarët serbë

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra thotë se shkarkimi i Aleksandar Jabllanoviqit ka ndërtuar një standard të ri, ku asnjë person me përgjegjësi publike “nuk ka të drejtë të ofendojë qytetarët dhe të mos e respektojë Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës”.

Lajme

03/02/2015 23:24

Deliu-Kodra tha se diskriminimi pozitiv i deritanishëm ndaj komunitetit serb ka lejuar që zyrtarët serbë të kenë sjellje arrogante ndaj institucioneve të Kosovës. Por, ajo mendon se me vendimin e fundit të kryeministrit Isa Mustafa, zyrtarët serbë do të “mësohen të repektojnë qytetarët e Kosovës”.

Më poshtë mund të lexoni deklaratën e plotë të deputetes Blerta Deliu-Kodra:

Shkarkimi i ministrit Jabllanoviq ndërton një standard të ri, sipas të cilit asnjë person me përgjegjësi publike nuk ka të drejtë të ofendojë qytetarët dhe të mos respektojë Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.

Për hir të integrimit të qytetarëve serb në institucione shpeshherë edhe janë toleruar sjelljet arrogante dhe mospërfillëse të tyre. Por, diskriminimi pozitiv i deritanishëm, ka krijuar një ndjenjë te disa politikan serb, se mund të bëhet kompromis me çdo gjë. Në fakt, me liritë dhe të drejtat e garantuara të qytetarëve, nuk mund të bëhen kompromise.

Zyrtarët serb të institucioneve të Kosovës duhet të mësohen që të respektojnë jo vetëm qytetarët e Kosovës, por edhe veten e tyre si qytetarë të këtij vendi, i cili ua njeh të drejtat dhe obligimet si gjithë të tjerëve!