Shkarkimi i tij – rrëzoi qeverinë Kurti, Agim Veliu pritet t’i kthehet MPB-së

Në qeverinë e udhëhequr nga Albin Kurti, Agim Veliu ishte emëruar ministër i Punëve të Brendshme pas shumë kundërshtimeve nga Lëvizja Vetëvendosje.

Lajme

02/06/2020 19:55

Veliu, ishte shkarkuar nga pozita e ministrit të Punëve të Brendshme nga kryeministri Kurti për shkak të një deklarate për një televizion në Kosovë, shkruan lajmi.net.

Me fillimin e pandemisë, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi kishte propozuar që në Kosovë të shpallet gjendje e jashtëzakonshme, një propozim i tillë i përmendur nga Lidhja Demokratike të Kosovës dy ditë më herët se të mbledhej Këshilli i Sigurisë Kombëtare.

E për përkrahjen që Veliu ia dha këtij propozimi, u shkarkua! Por sot, Veliu është propozuar të jetë ministër i Punëve të Brendshme përsëri, në qeverinë e udhëhequr nga Hoti e cila pritet të votohet nesër në Kuvendin e Kosovës.

Veliu, i cili për shumë vite ishte kryetar i Komunës së Podujevës, pritet që të rikthehet në pozitën e ministrit të Punëve të Brendshme prej ku u shkarkua dhe për shkak të shkarkimit të tij, u prish edhe koalicioni midis Vetëvendosjes dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Nëse qeveria Hoti votohet nesër në Kuvend, atëherë Veliu do të kthehet në ministrinë e Punëve të Brendshme si ministër. /Lajmi.net/