Shkarkimi i Munishit nuk u mjaftoi – Gjilanin e mposht edhe Prishtina
Dy ditë pas shkarkimit të Ismet Munishit pas humbjes ndaj Dukagjinit, Gjilani merr edhe disfatën tjetër brenda pak ditësh.

Sport
Kësaj radhe ata u mposhtën në shtëpi nga Prishtina, në derbin e xhiros së 32 në BKT Superligë.
Të parët që kaluan në avantazh ishin kryeqytetasit me anë të Albert Dabiqajt, në fillim të takimit.
Reagimi i vendasve nuk vonoi ku nga pika e bardhë u tregua i saktë Besnik Krasniqi për t’i barazuar përkohësisht shifrat.
Kur u mendua se skuadrat do të ndanin pikët, në pjesën e dytë të takimit, saktësisht në minutën e 80’, sulmuesi Mankenda ua dha kryeqytetasve avantazhin dhe tri pikët.
Fundi i ndeshjes u shoqërua me jo pak tensione në mes të dyja palëve pas dyshimit se portieri i mysafirëve kapi topin jashtë zonës së 16-metërshit, e për rrjedhojë as kartonët e verdhë nuk munguan.
Me këtë fitore, Prishtina “gozhdon” pozitën e pestë në tabelë, ndërsa Gjilani vazhdon të mbetet e treta, por pa gjasa për titull. /Lajmi.net/