Shkarkimi i katër kryetarëve në Veri: Vlerësohet se ky proces po zvarritet
Refuzimi i kërkesave të grupeve nismëtare për organizimin e peticioneve për largimin e kryetarëve të katër komunave në veri të Kosovës, është zvarritje e panevojshme e procesit dhe shkel edhe Udhëzimin Administrativ që e rregullon këtë çështje, thonë nga Instituti Demokratik i Kosovës. Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal e Kosovës e nxori Udhëzimin Administrativ…
Lajme
Refuzimi i kërkesave të grupeve nismëtare për organizimin e peticioneve për largimin e kryetarëve të katër komunave në veri të Kosovës, është zvarritje e panevojshme e procesit dhe shkel edhe Udhëzimin Administrativ që e rregullon këtë çështje, thonë nga Instituti Demokratik i Kosovës.
Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal e Kosovës e nxori Udhëzimin Administrativ për largimin e kryetarëve të komunave, në shtator.
Udhëzimi kishte qëllim t’i hapte rrugë shpalljes së zgjedhjeve lokale në katër komunat me shumicë serbe në veri – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok – pasi banorët lokalë i kundërshtojnë kryetarët shqiptarë, të zgjedhur në prill.
Katër grupe nismëtare, veç e veç, secili i përbërë nga tre qytetarë, u dorëzuan më 7 dhjetor kryesuesve të kuvendeve komunale të katër komunave në veri kërkesat për inicimin dhe organizimin e peticioneve për largimin e kryetarëve të komunave.
Ky është ndër hapat e parë që parashihet me Udhëzimin Administrativ për largimin e kryetarit të komunës nga funksioni, por u refuzua.
Eugen Cakolli, nga Instituti Demokratik i Kosovës, thotë se refuzimi është zvarritje e panevojshme e procesit që do t’i çonte katër komunat veriore drejt zgjedhjeve të reja lokale.
Kjo, sipas tij, bie ndesh edhe me zotimet që kanë marrë institucionet e Kosovës përballë partnerëve perëndimorë, për uljen e tensioneve në veri përmes organizimit të zgjedhjeve të reja.
“Kjo rrezikon ta paraqesë Kosovën para ndërkombëtarëve si palë destruktive, e cila nuk ka interes për t’i zbatuar plotësisht zotimet në kuadër të marrëveshjeve të arritura për depërshkallëzim [të situatës në veri], por edhe zotimet e përditshme të dhëna si nga kryeministri [Albin Kurti], presidentja [Vjosa Osmani] dhe të tjerët, se ata janë të gatshëm që ta dëgjojnë vullnetin e qytetarëve serbë që jetojnë në ato komuna veriore”, thotë Cakolli për Radion Evropa e Lirë.
Ndaj këtij refuzimi reagoi edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, i cili tha se SHBA-ja pret nga Qeveria e Kosovës që të jetë fleksibile dhe të bëjë gjithçka që mundet “për të garantuar që banorët që dëshirojnë ta largojnë kryetarin e komunës së tyre, të mund të veprojnë ashtu”.
Bashkësia ndërkombëtare i kërkoi vazhdimisht Kosovës të organizojë zgjedhje të reja në veri, meqë kundërshtimi i kryetarëve shqiptarë shkaktoi edhe dhunë në fund të majit, kur protestues serbë u përleshën me ushtarë të misionit të NATO-s, KFOR.
Radio Evropa e Lirë iu drejtua Qeverisë së Kosovës me pyetjen se çfarë mund të bëjë që çështja e inicimit të peticioneve nga qytetarët e komunave në veri të vendit, të lehtësohet, por, deri në publikimin e këtij artikulli, nuk mori përgjigje.
Pse u refuzuan kërkesat e grupeve nismëtare të peticioneve?
Në Udhëzimin Administrativ thuhet se grupi nismëtar i peticionit, para se të nisë t’i mbledhë nënshkrimet që mbështesin kërkesën e tij, “duhet ta njoftojë kryesuesin komunal dhe mund ta njoftojë edhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve”.
Më pas, kryesuesi komunal e njofton kryetarin e komunës, Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal dhe KQZ-në.
“Kryesuesi i kuvendit komunal, jo më vonë se pesë ditë nga pranimi i njoftimit, e shqyrton kërkesën e paraqitur dhe e regjistron grupin nismëtar si palë të autorizuar”, sipas Udhëzimit.
Për arsyen e refuzimit të kërkesës apo njoftimit të grupit nismëtar të peticionit për largimin e kryetarit të Mitrovicës së Veriut, Radio Evropa e Lirë pyeti kryesuesin e Kuvendit të kësaj komune, Nexhad Uglanin.
Ai tha se në kërkesën e dorëzuar nga tre qytetarë, është definuar çështja e nismës dhe arsyetimi i saj, të cilat, sipas tij, janë të pranueshme. Por, siç tha, Udhëzimi Administrativ përcakton që grupi prej tre ose më shumë qytetarëve, fillimisht, duhet ta njoftojë kryetarin ose Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për formimin e tij dhe pastaj të bëhet regjistrimi i tij.
“Ata nuk e kanë bërë këtë dhe nuk dëshirojnë ta bëjnë. Ndërkaq, mua kështu më udhëzon Udhëzimi Administrativ”, tha Uglanin.
Për arsyen e njëjtë, sipas tij, nuk janë pranuar as kërkesat e nismëtarëve të peticioneve për largimin e kryetarëve në tri komunat e tjera, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan. Ato kërkesa “kanë qenë të njëjta dhe pa ndonjë dallim”, tha Uglanin.
Ai shtoi se vërejtjet ua ka komunikuar tre qytetarëve që e kanë dorëzuar kërkesën për inicimin e peticionit dhe tha se është i gatshëm ta pranojë sërish kërkesën e grupit iniciues, por të plotësuar sipas Udhëzimit Administrativ.
“Ata mund ta përsërisin kërkesën. Unë nuk do ta prisja afatin prej 5 ditësh, por menjëherë brenda ditës do t’ia dorëzoja [KQZ-së] këtë njoftim për formimin e grupit dhe kërkesën prej tij që të regjistrohet. Ky është proces shumë i shkurtër, por ata nuk dëshirojnë ta bëjnë këtë”, tha Uglanin.
Sanja Kërtiniq, që ishte pjesë e grupit prej tre qytetarëve të Mitrovicës së Veriut që e dorëzuan kërkesën tek Uglanini, tha se ai ishte në dijeni lidhur me përmbajtjen e kërkesës.
“Kur u takuam me të, biseduam për një kohë se si duhet të duket ajo kërkesë, çfarë duhet të përmbajë ajo kërkesë dhe në bazë të udhëzimeve të tij, ajo kërkesë është plotësuar dhe si e tillë është dorëzuar në komunë”, tha Kërtiniq për Radion Evropa e Lirë.
Sipas saj, arsyetimi i Uglaninit lidhur me refuzimin e kërkesës së grupit nismëtar, është i pabazuar.
“Ajo që kanë dhënë si arsye për refuzimin, se ne nuk i kemi njoftuar zyrtarisht, nuk pi ujë në fund të fundit, sepse ata ishin njoftuar lidhur me të…. Në anën tjetër, deklaron se kërkesa nuk është e plotë, por ai gjithashtu e përmend se kemi biseduar bashkë dhe se e kemi plotësuar kërkesën“, tha Kërtiniq.
Ajo shtoi se nuk është e sigurt nëse do të ketë hapa të ardhshëm nga ana e grupit nismëtar, për shkak se veprimet e autoriteteve, sipas saj, janë tejet dekurajuese.
Radio Evropa e Lirë e kontaktoi edhe kryesuesen e Kuvendit Komunal të Zveçanit, Selvete Kelmendi, për të marrë përgjigje lidhur me arsyet e refuzimit të kërkesës së grupit nismëtar të peticionit për largimin e kryetarit të kësaj komune, por ajo u përgjigj shkurtimisht, duke mos dhënë sqarime:
“Ju lutem, herën tjetër, nëse ka mundësi”.
Cakolli: Kryesuesit e kuvendeve komunale shkelën Udhëzuesin Administrativ
Udhëzuesi Administrativ për largimin e kryetarit të komunës nga funksioni është kundërshtuar nga Instituti Demokratik i Kosovës qysh në muajin shtator, kur ai është miratuar, thotë Cakolli.
Sipas tij, ky udhëzim bie ndesh me “Ligjin për vetëqeverisje lokale, me parimin e demokracisë së drejtpërdrejtë dhe përfshirjes së të gjithë qytetarëve”.
Ligji, sipas tij, nuk përcakton kurrfarë afatesh ligjore për zhvillimin e procedurës së peticionit për largimin e kryetarit të komunës.
“…mbi të gjitha, nuk kërkon që të ketë një grup nismëtar. Pra, mund të jetë një formë e peticionit, i cili, në fund, kur dorëzohet me 20 për qind të nënshkrimeve, mund ta ketë një person për kontakt, i cili nuk ka ndonjë përgjegjësi shtesë ligjore”, thotë Cakolli.
Por, meqë Udhëzimi Administrativ nuk është kontestuar nga palët e interesuara në gjykatat e rregullta, lidhur me përputhshmërinë e tij me Ligjin për vetëqeverisje lokale, ai ka mbetur në fuqi, shton ai.
Sipas Cakollit, Udhëzimi Administrativ është shkelur nga ana e kryesuesve të kuvendeve të katër komunave në veri të Kosovës.
“Jashtë përcaktimit të vetë Udhëzimit Administrativ, [kryetarët e kuvendeve komunale] janë lëshuar në vlerësim të pranueshmërisë së kërkesës ose refuzim të saj. Udhëzimi Administrativ nuk i jep përgjegjësi as kryesuesit të kuvendit të komunës dhe madje as Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal për ta refuzuar si të tillë kërkesën. Ata mund ta bëjnë vetëm kontrollin faktik, në rast se grupi nismëtar është votues në komunat përkatëse, në mënyrë që të garantohet një lloj parimi se janë qytetarë të asaj komune që po kërkojnë largimin e kryetarit”, thotë Cakolli.
Paradoks apo shenjë e zhbllokimit të procesit?
Me gjithë refuzimin e kërkesave të grupeve nismëtare të peticioneve për largimin e kryetarëve të katër komunave në veri të Kosovës nga ana e kryesuesve të kuvendeve komunale, së paku tre prej tyre, të mërkurën, më 13 dhjetor, iu drejtuan Komisionit Qendror të Zgjedhjeve lidhur me çështjet që ndërlidhen me peticionin.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, tha se kryesuesit e kuvendeve komunale të Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit dhe Zubin Potokut, “kanë kërkuar nga KQZ-ja që t’i ofrojë informatat zyrtare për anëtarët e grupit iniciues [të secilës komunë veç e veç], se a janë votues të komunave përkatëse”.
“Të njëjtit kanë kërkuar t’i ofrojmë informatat lidhur me numrin e përditësuar të votuesve të regjistruar në këto komuna, mbi bazën e të cilit përllogaritet numri minimal i nevojshëm i nënshkrimeve prej 20 për qind”, tha Elezi për Radion Evropa e Lirë.
Ai shtoi se kërkesat janë duke u trajtuar dhe se, brenda afatit pesëditor, KQZ-ja do t’i kthejë përgjigjet.
Elezi theksoi se KQZ-ja nuk ka marrë kërkesë të tillë nga kryesuesja e Kuvendit Komunal të Zveçanit, por në momentin që kërkesa e tillë do të paraqitet, ajo do të trajtohet njëjtë sikurse tri të tjerat, tha ai.
Kryesuesja e Kuvendit Komunal të Zveçanit, Selvete Kelmendi, i tha Radios Evropa e Lirë se, dy ditë më parë, kërkesa e tillë i është dërguar Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, ndërsa në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve është dorëzuar të mërkurën.
Radio Evropa e Lirë kërkoi nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve që ta komentojë çështjen e refuzimit të kërkesave të grupeve nismëtare të peticioneve, por nga ky institucion thanë se nuk i komentojnë veprimet e personave apo zyrtarëve të tjerë, që nuk i përkasin atij.