Shkalla e sigurisë së ushqimit që e konsumojmë, vetëm 40 për qind

Në tregun  e Kosovës jo rrallë herë konsumatorët mund të hasin në produkte  më cilësi të dyshimtë dhe jo të sigurta për t’i konsumuar. Produkte të dyshimta janë paraqitur si ato vendore ashtu edhe të importuara.

Lajme

07/11/2014 20:51

Për mungesën e sigurisë së produkteve organizatat joqeveritare disa herë kanë paraqitur shqetësimet e tyre, përderisa autoritetet kompetente theksojnë se të gjitha produktet janë të sigurta.

Selatin Kaçaniku, udhëheqës i organizatës joqeveritare  “Konsumatori”, thotë se konsumatori i Kosovës është i sigurt në cilësinë dhe sigurinë e ushqimit  aq sa është edhe zbatimi  i ligjeve në Kosovë.

“Nëse zbatimi i ligjeve nuk arrin deri në  40 për qind, atëherë mund të themi se siguri të ushqimit kemi deri në shkallën  40 për qind” , ka shtuar ai.

Kaçaniku ka shprehur shqetësimin që  kompanitë të cilat importojnë produkte nga vende të ndryshme të rajonit dhe të Bashkimit Evropian, nuk janë të interesuar për cilësi dhe siguri por vetëm për përfitime materiale.

“Askush Kosovës nuk mund t’i sjellë me dhunë asnjë artikull ushqimor të cilësisë se dobët. Të gjitha këto i importojnë bizneset ose afaristët të cilët me shumë vetëdije dhe më shumë qëllime bëjnë importe të produkteve ushqimore të cilësisë se ulët, të dyshimta dhe të pasigurta, më të vetmin qëllim për të siguruar përfitime personale sa më të larta”, tha Kaçaniku.     

Në anën tjetër disa qytetarë thonë se nuk  besojnë në cilësinë e produkteve ushqimore.

 Artan Berisha, ekonomist, thotë se asnjëherë nuk furnizohet më produkte të importuara nga vendet e rajonit

“Produktet që vijnë nga BE konsideroj se janë të sigurta, kurse produktet që i konsumojmë dhe janë në tregun e Kosovës nga rajoni, nuk besoj shumë në ato produkte”, është shprehur ai.

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUVK) është  autoriteti më i lartë për Ushqim dhe Veterinari, i cili është përgjegjës për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve.

Kjo agjenci ka prioritet zbatimin e inspektimeve në fushën e sigurisë, higjienës, gjurmimit dhe etiketimit të ushqimit për njerëz dhe ushqimit  për kafshë.

Lamir Thaçi, zëdhënës në këtë agjenci, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thekson se dyshime mund të ketë por që kontrolli i çdo produkti bëhet sipas standardeve të BE-së.

“Ne gjatë këtij viti nuk e kemi të konfirmuar ndonjë rast të helmimit masiv nga ushqimet. Kjo dëshmon se kontrolli jonë është shumë efektive dhe nuk po lejojmë që asnjë produkt i dyshimtë të futet në treg”, thekson Thaçi.  

Viteve të fundit ka pasur dyshime në produkte të ndryshme, qoftë ato ushqimore apo higjienike.

Kurse si rast i dyshuar aktualisht në treg është limoni nga Turqia. AUVK i ka marrë mostrat dhe i ka dërguar për analiza, por që deri tash nuk ka ndonjë rezultat konkret. (REL)