Shitja e “barnave” online vlerësohet e rrezikshme
Në Kosovë sot mund të blesh ilaçe edhe përmes një klikimi në rrjetet sociale nga persona, të cilët pos që nuk iu dihet adresa, nuk kanë as përgjegjësi e as autorizime për të tregtuar me produkte, të cilat ata i shesin shpesh online dhe i dërgojnë tek klientët përmes postës. Kjo, po e bën një…
Lajme
Në Kosovë sot mund të blesh ilaçe edhe përmes një klikimi në rrjetet sociale nga persona, të cilët pos që nuk iu dihet adresa, nuk kanë as përgjegjësi e as autorizime për të tregtuar me produkte, të cilat ata i shesin shpesh online dhe i dërgojnë tek klientët përmes postës.
Kjo, po e bën një paralele të tregtimit të produkteve farmaceutike me barnatoret e të cilat, kontrollohen megjithatë nga Agjencia për Pajisje dhe Produkte Mjekësore.
Reklamat e këtyre barnave, mund t’iu duken bindëse, posaçërisht kur keni një problem shëndetësor. Mirëpo, profesionistët shëndetësorë thonë se këto produkte mund të jenë edhe të rrezikshme për shëndetin dhe jetën.
“Fenomeni i shitjes apo promovimi i suplementeve në rrjetet sociale sikur shëron shumë sëmundje, është një fenomen mjaft shqetësues, i cili rrezikon në mënyrë të drejtpërdrejt shëndetin publik dhe qytetarët apo pacientët këtë duhet ta kuptojnë që suplementet nuk shërojnë sëmundje”, ka thënë Astrit Haxhijaha për RTK-në nga Oda e Farmacistëve të Kosovës.
Për mantelbardhët është absurde që një ilaç që përdoret për trajtimin e gurëve në veshka të përdoret edhe për trajtimin e gurëve në idhëz.
“Kjo mundë të shkaktojë pikësëpari një olesdicid akut për shkak të zvogëlimit-zbërthimit të guralecëve apo gurëve në idhëz duke kaluar nëpër rrugë biliare. Një ikter mekanik mund ta shkaktojë, që është një patologji e rëndë, më tutje mund të shkaktojë një pankrait që është kërcënues për jetën. Do të thotë assesi nuk duhet të përdoren kësi lloj preparate për shkrirjen e gurëve në idhëz”, ka thënë, Ekrem Sefiu, kirurg abdominal.
“Te personat që janë me diabet, ndoshta ai lloj i ilaçit e ka një përbërës që ua ngrit vlerat e sheqerit, e pacienti nuk e di. Ndoshta dikush që e ka një pengesë tjetër ose duke e marrë një ilaç tjetër nuk e di që ai ilaç mundet me pas kundërndikim me ilaçin tjetër që është duke e përdor”, ka thënë Gzonit Salihaj, farmacist.
Ndërkohë që produkte të dyshimta e plot rrezik janë në dorë të qytetarëve, institucionet përgjegjëse e hedhin përgjegjësinë tek njëra tjetra. AKPM, nënvizon se Departamenti i Autorizim-Marketingut, merret vetëm për çështjet operacionale dhe menaxhuese. E për suplementet dhe tregtimin e tyre nuk është në rrjedha.
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës, që mban përgjegjësi për mbikëqyrjen e suplementeve mjekësore, ka kompetenca vetëm për barnat dhe suplementet veterinare.
Inspektorati Farmaceutik i Ministrisë së Shëndetësisë, në një përgjigje me shkrim nënvizon se barnat mund të shiten vetëm përmes recetës, në barnatore të licencuara. Ndërkohë që sipas policisë është përgjegjësi e inspektoratit të ndërmerr veprime për kontrollin dhe ndëshkimin e të gjitha veprimtarive shëndetësore.
Përgjatë aksioneve të policisë vitin e kaluar janë arrestuar persona përgjegjës për falsifikimin e produkteve, duke përmendur suplementet “Collagen Peptides 200 gr”. Sipas Inspektoratit Farmaceutik, pos ngritjes së kallëzimeve penale, masat për veprimtari të paligjshme parashohin edhe gjoba nga 2000 deri në 20 mijë euro./RTK