“Shiriti është kënaqësi dhe përgjegjësi, falënderoj shokët për besimin”

Mërgim Mavraj është kapiteni i Shqipërisë, i zgjedhur me votat e vetë lojtarëve, pasi Panucci hoqi dorë nga “shiriti shëtitës” te lojtari me më shumë ndeshje.

Sport

11/10/2018 00:02

Qendërmbrojtësi tregoi një formë dukshëm më të mirë tashmë që prej një muaji stërvitet dhe luan me grekët e Arisit, ndërsa theksoi se skuadra është gati për ndeshjen me Izraelin.

Si u ndjeve që u zgjodhe kapiten?
Nuk e prisja dhe jam gëzuar shumë. Gjithsesi tani kam edhe më shumë përgjegjësi, ndaj gëzimi duhet shoqëruar edhe me një impenjim akoma më të madh.

Ti vetë për kë votove?
Votimi ka qenë sekret, ndaj nuk e tregoj.

Skuadra funksionon para Izraelit…
Nuk duhet t’i kushtojmë shumë rëndësi kësaj ndeshjeje sot, pasi ne jemi me mendje te takimi me Izraelin. Natyrisht që u munduam të bëjmë mirë sot, por edhe të ruajmë energji për sfidën e Izraelit, që ka vlerë 3-pikëshe. Shumë prej titullarëve sot u kursyen për të qenë gati për ndeshjen me Izraelin.

Panucci refuzoi sot Supersportin. A ka folur me ju për këtë vendim të tijin?
Unë nuk mund të tregoj asgjë një lidhje me atë që trajneri diskuton me ne. Jo vetëm për këtë rast, por për çdo lloj bisede mes nesh dhe trajnerit, asgjë nuk duhet të dalë jashtë.

Si është forma juaj fizike tashmë?
Unë nuk jam ende në formën time maksimale. Falënderoj të gjithë që më ftuan edhe kur nuk isha në momente të mira. Besoj se tashmë po stërvitem mirë dhe po përmirësohem, por jam i vetëdijshëm që nuk km arritur ende 100 % të formës time.