“Shfrytëzimi i pakontrolluar i buxhetit, fakt shqetësues”

Festa e Pavarësisë së Kosovës këtë vit kaloi me shumë zhurmë.

Lajme

13/03/2019 22:08

Qeveria e Kosovës ndau 500 mijë euro për shënimin e 11-vjetorit të Pavarësisë, por kjo u konsiderua si shumë jashtëzakonisht e lartë, shkruan lajmi.net.

Me pothuajse të njëjtat aktivitete, në vitet e mëhershme shuma e parave të shfrytëzuara për festimin e kësaj dite ishte për disa herë më e vogël sesa këtë vit, e madje edhe për jubilarin e Pavarësisë që ishte vitin e kaluar.

Për këto shpenzime, u thirr edhe seancë e jashtëzakonshme nga partitë opozitare LDK dhe Vetëvendosje të cilat e kritikuan Qeverinë se ka manipuluar me këto fonde të ndara.

Por, i pari i Qeverisë, Ramush Haradinaj, gjatë kësaj seance kishte thënë se prej 500 mijë eurove të ndara për 11-vjetorin e Pavarësisë, janë harxhuar vetëm 170 mijë dhe të tjerat do t’i kthehen buxhetit të Kosovës.

E këtë, eksperti i ekonomisë, Safet Gërxhaliu, po e konsideron si krizë institucionale në Kosovë, por edhe si papërgjegjësi të udhëheqësve.

“Është më se e vërtetë që në Kosovë po ndodhin gjëra të çuditshme dhe kjo e dëshmon se në çfarë krize është futur Kosova dhe institucionet e saj. E indikatori më shqetësues i matjes së krizës që e ka kapluar Kosovën janë shpenzimet e pakontrolluara. Në një ku vdes përgjegjësia qoftë individuale, qoftë institucionale ardhmëria evropiane është shumë larg për t’u arritur”, tha Gërxhaliu për lajmi.net.

Gërxhaliu gjithashtu është shprehur se në vend që në Kosovë të rritet përgjegjësia dhe llogaridhënia e bazuar në transparencë, kjo nuk ndodhi në Kuvend.

“Ajo çfarë është e rëndësishme është fakti që në vend se të ngritet përgjegjësia dhe llogaridhënia e bazuar në transparencë dhe shifra ka qenë shqetësuese kur në debatin e parlamentit të Kosovës më shumë kohë është humbur për të arsyetuar një dukuri të tillë sesa për ta sulmuar ose kritikuar”, vazhdoi ai më tutje.

Po ashtu, eksperti Gërxhaliu tha se Kosova ka ardhur në momentin ku çdo kush po merr atë të i duhet.

“Me të vërtetë është koha kur duhet të kuptohet që Kosova është në një krizë dhe si duket kjo krizë po manifestohet me një vetkuptim të institucioneve që është ardhur momenti që nuk ka zot shtëpie dhe të grabitet gjithçka që mund të bëhet”, shtoi më tutje Gërxhaliu.

Krejt në fund, Gërxhaliu për lajmi.net, tha se kjo po i ndikon negativisht Kosovës edhe në aspektin politik, edhe integrues, por edhe në atë social.

“Është turp që do t’i kushtojë Kosovës edhe në aspekt politik edhe në aspektin integrues por mbi të gjitha në aspektin social sepse nga ky keqpërdorim dhe nga ky shkatërrim i Kosovës është duke ikur rinia dhe një shtet që mbetet pa rini, të ardhmen e ka të gjymtë”, përfundoi ai.

Vlen të theksohet fakti se mediet vazhdimisht kanë raportuar për shumën e shfrytëzuar për shënimin e ditës së Pavarësisë duke e krahasuar këtë shumë me vitet e mëparshme e që rezultoi të ishte shumë më e lartë. /Lajmi.net/