Shëtitja nëpër Prishtinë është me sigurt sesa nëpër Beograd, thotë Thaçi

Kryeministri i Kosovës në detyrë ka shfaqur besimin se në fund të procesit negociator në Bruksel, do të pasojë edhe njohja e pavarësisë së Kosovës, duke shtuar se dialogu me fqinjët është kushti kryesor për integrime evropiane.

Lajme

27/06/2014 00:47

Në një intervistë për gazetën beogradase Danas, Thaçi ka thënë se në fund të tërë procesit do të ketë pranim të plotë të realitetit, përfshirë edhe pavarësinë e Kosovës, si pjesë e pandashme e arkitekturës së Ballkanit.

“Nuk kam asnjë dyshim se po shkojmë në atë drejtim”, ka thënë Thaçi.

Ai ka shtuar se partia e tij, PDK, si fituese e qartë e zgjedhjeve, pret që ta udhëheqë qeverinë e re edhe në katër vjetët e ardhshëm, por aktualisht çështja e mandatarit është para Gjykatës Kushtetuese dhe ai do ta respektojë çfarëdo vendimi që sjell kjo gjykatë.

“Cilido që të jetë formati i qeverisë, dialogu me fqinjët është kushti kryesor për integrimet evropiane. Kosova ka arritur që ta vendosë kufirin e qartë me Serbinë dhe nuk ka asnjë dyshim që Serbia është dashur ta pranojë rendin juridik dhe kushtetues të Kosovës si i vetmi ligjbërës në veri të Kosovës. Kjo është rrugë në një drejtim që do të vazhdojë si bazë për vendosjen e marrëdhënieve normale në Ballkan”, ka thënë Thaçi.

Kryeministri i Kosovës ka shtuar se serbët, si pakicë, i kanë vendet e rezervuara sipas Kushtetutës në Qeverinë e Kosovës.  

“Komuniteti serb në Kosovë është i sigurt në Kosovën e re të pavarur. Shikuar sipas statistikave, më e sigurt është të shëtisësh nëpër Prishtinë sesa nëpër Beograd. Duhet të përpiqemi t’i zbatojmë rezultatet e dialogut në mënyrë që situata të normalizohet. Njerëzit kanë nevojë për normalitet në mënyrë që të ndihen të ndihen më të sigurt dhe iu nevojitet normaliteti për të vazhduar jetën e tyre”, tha pos tjerash Thaçi.