Sheshet e Prishtinës mbulohen me flamuj kuq e zi, komuna nuk e di kush po i vendos

Sot sheshet e Prishtinës janë mbuluar me flamuj kuq e zi.

Lajme

16/04/2019 12:06

Të gjitha sheshet e Prishtinës në mëngjesin e sotëm janë mbuluar me flamuj kuq e zi, raporton lajmi.net.

Mësohet se vendosja e këtyre flamujve është bërë në prag të ardhjes së përfaqësuesve të Batalionit të Atlantikut në Kosovë.

Mirëpo, zëdhënësja e Komunës së Prishtinës, Miranda Mullafazliu-Bejta, ka thënë për lajmi.net, se nuk e di se kush është duke i vendosur këta flamuj nëpër sheshe.

“Nuk jemi duke i vendosur ne. Si duket është duke i vendosur Qeveria apo Presidenca sepse, nesër paska vizitë të batalionit të Atlantikut”, ka thënë Mullafazliu-Bejta.

E pyetur nëse komuna është njoftuar paraprakisht për vendosjen e këtyre flamujve, Mullafazliu-Bejta, ka thënë se flamuj të tillë janë duke u vendosur në tërë Kosovën.

“Janë duke i vendosur në tërë Kosovën. Nuk janë vetëm në Prishtinë. Janë nëpër të gjitha rrugët magjistrale, në autostradë”, ka thënë ajo për lajmi.net.

Në anën tjetër, lajmi.net ka mësuar se të gjithë flamujt në sheshet e Prishtinës, por edhe nëpër autostradën “Ibrahim Rugova”, janë vendosur me iniciativë të përfaqësuesve të këtij Batalioni.

Po ashtu, nga Qeveria për lajmi.net, kanë thënë se ardhja e tyre në Kosovë është bërë me iniciativë të tyre, por që përfaqësuesit e Qeverisë do t’i presin ata. /Lajmi.net/