Shesheli ka kancer?

Mjekët në Hagë dyshojnë se liderit të radikalëve serbë i është përkeqësuar shëndeti, shkruajnë mediat serbe.

Lajme

10/12/2013 09:00

Lideri i Partisë Radikale Serbe i cili është duke u gjykuar në Hagë për krime lufte, Vojislav Sheshel, dyshohet të jetë i sëmurë nga kanceri.

Gazeta serbe “Vecernje Novosti” shkruan se fjala është për një karcinomë në zorrën e trashë.

Vitin e kaluar, Sheshel ka pasur probleme shëndetësore gjë që kishte shkaktuar shtyrjen e procesit gjyqësor.

Përfaqësues të Partisë radikale serbe atëbotë kishin kërkuar nga Tribunali i Hagës që liderit të tyre t’i mundësohej shërimi nga një ekip i mjekëve serbë i drejtuar nga kardiologu Milovan Bojevic, për të cilin edhe vetë Sheshel ishte pajtuar.

Që nga viti i kaluar, Sheshel dy herë ka qenë në spital.

Ai është në Tribunalin e Hagës që nga marsi i vitit 2003 ndërsa procesi gjyqësor ndaj akuzave për krime lufte në Kroaci dhe Bosnjë është duke vazhduar që nga viti 2007. Fjala përfundimtare në rastin ndaj tij pritet të jepet në fillim të marsit të vitit të ardhshëm.