Shesh me kalldrëm

Isa Mustafa thotë se planifikon të ndalojë qarkullimin e automjeteve në pjesën e vjetër të Prishtinës, për ta ndërtuar një shesh.

Lajme

06/10/2013 12:35

Isa Mustafa ka vazhduar të dielën fushatën e tij në Kryeqytet, duke prezantuar programin e tij zgjedhor.

Kryetari i Prishtinës ka shpalosur projektin e tij për sheshin e Prishtinës e vjetër.

Duke pirë disa gllënjka çaji, ai ka thënë se në pjesën ku ndodhen disa nga xhamitë kryesore, Muzeu Kombëtar si dhe “Sahat Kulla”, do të ndërtohet një shesh me kalldrëm, i cili do të përkufizojë pjesën e vjetër të qytetit.

Në përurimin e rikonstruktimit të Hamamit të Prishtinës, Isa Mustafa prezantoi projektin e tij për këtë pjesë të qytetit.

“Dëshirojmë që këtë pjesë të qytetit ta konservojmë. Të ndalim qarkullimin e automjeteve në këtë pjesë dhe do ta bëjmë një shesh të vjetër të qytetit, të cilën do ta përdorin të gjithë qytetarët dhe veçmas për qytetarët të cilët jetojnë gjatë dhe të cilët dëshirojnë që të ta shohin trashëgiminë kulturore, arkitektonike dhe trashëgimin artistike të qytetit.”

Mustafa tregoi për historinë e objektin e Hamamit dhe foli edhe për investimet që Komuna ka bërë. Sipas tij, ato pritet të përfundojnë së shpejti.

“Ne kemi investuar mbi 700 mijë euro gjatë kësaj periudhe, edhe pse këto objekte nuk janë përgjegjësi e komunave, por janë përgjegjësi e Ministrisë së Kulturës. Mirëpo, kemi vlerësuar se si qytet duhet të japim kontributin tonë për shembullin tonë. Hamami do të përfundojë së shpejti, do ta shndërrojmë një pjesë në muze të neolitit, një pjesë do ta mbajmë si galeri të qytetit, për aktivitete të ndryshme të qytetit.”