Sherifi: Serbia qëndron prapa rastit të Haradinaj dhe Gjykatës Speciale

Në llogarinë e tij personale në Facebook Bilall Sherifi nga NISMA për Kosovën, ka shkruar një qëndrim lidhur me çështjen e themelimit të Gjykatës Speciale dhe ndalimit të Kryetarit të AAK-së Ramush Haradinajt.

Lajme

18/06/2015 21:43

Sipas tij, prapa të dyja këtyre çështjeve po qëndron Serbia.

Më poshtë mund ta gjeni shkrimin e plotë të anëtarit të NISMA për Kosovën, Bilall Sherifi:

“Serbia qëndron prapa të dy çështjeve.

Dje ndodhën dy ngjarje në dy vende të ndryshme, njëra në Prishtinë dhe tjetra në Slloveni, por që motivin dhe shkaktarin e kishin të përbashkët, krimet e luftës dhe Serbinë. Njëra ishte protesta e shoqatave të dalura nga lufta, e mbështetur edhe nga tri partitë politike opozitare VV, AAK dhe NISMA në të cilën morën pjesë diçka mbi 1000 persona, kërkesë e të cilëve ishte që Kuvendi Kosovës të mos votojë themelimin e gjykatës speciale, e cila për bazë ka trajtimin e dyshimeve për krime lufte të fabrikuara dhe të propaganduara nga Serbia, të cilat Dik Marty i kishte shndërruar në “dokumente” të tija. Apo nëse do të huazonim një term të krimeve financiare, i bie se ai është shndërruar në “shpërlarës” të dokumenteve të Sërbisë.

Tjetra kishte të bëjë me ndalimin nga policia sllovene e kryetarit të AAK-së Ramush Haradinaj, e cila ishte bërë në bazë të një fletarresti të Interpolit të lëshuar nga Serbia, poashtu për krime lufte.

Lidhur me këto dy ngjarje në dukje të ndryshme, por në esencë të njëjtë, ka qasje dhe reagime të ndryshme.

Përderisa për të parën aktorët e skenës politike janë të ndarë në dysh, Mazhoranca e mbështet (me përjashtim të disa deputetëve të saj) dhe kërkon që të votohet, në anën tjetër partitë opozitare janë deklaruar se janë kundër dhe nuk do ta votojnë. Pra edhe pse motivi dhe shkaktari edhe i kësaj është Serbia, jo vetëm që nuk ka unitet, por rreth kësaj ka një polarizim të skajshëm.

Sa i përket ngjarjes së dytë asaj me Ramush Haradinajn, jo vetëm që pat unitet verbal, e cila u manifestua përmes deklaratave publike nga të gjithë aktorët e skenës politike dhe publike, por i tërë ky unitet u demonstrua në Kuvend duke miratuar një rezolutë përmes së cilës Kosova i dërgon Sllovenisë madje edhe Notë Proteste.

Pra meqë të dy rastet kanë emërues të përbashkët Serbinë, edhe reagimet do të duhej të ishin poashtu të njëjta, t’i thuhet jo, të gjithë atyre që kontrabandojnë dhe shpërlajnë akuzat e Serbisë. Nëse nuk ndodh kështu, uniteti i shfaqur në rastin e Ramush Haradinajt do të mbetet as më shumë e as më pak se hipokrizi.” (lajmi.net)