Shërbimi i Emigracionit në Finlandë fshin informacionet e qendrave të refugjatëve

Shërbimi i Emigracionit në Finlandë i ka fshirë detajet e qendrave për pranimin e refugjatëve nga uebsajti i saj për qëllime sigurie, si dhe për t’iu mundësuar punëtorëve në këto qendra të punojnë pa qenë të shqetësuar.

Bota

10/11/2015 19:26

“Vendimi është marrë për qëllime sigurie. Ne po ashtu dëshirojmë t’i japim punëtorëve tanë mundësinë që të punojnë pa shqetësime”, ka thënë zëdhënësja e shërbimit, Verna Leinonen.

Në Suedi qendrat për pranimin e refugjatëve janë bërë gjithnjë e më shumë caqe të sulmeve raciste. Vetëm këtë vit janë shkaktuar 26 zjarre nëpër këto qendra apo në afërsi, kanë raportuar mediat suedeze.

Por sipas Leinonen-it, sulmet nuk janë arsyeja se përse institucionet kanë vendosur të fshijnë detajet për këto qendra, transmeton KosovaPress.

“Natyrisht, po i përcjellim ngjarjet në Suedi dhe Finlandë. Megjithatë, ky ndryshim në uebsajtet tona nuk ka të bëj me zhvillimet në Suedi. Qendrat për pranimin e refugjatëve janë residenciale dhe lokacione jo-publike, në rend të parë”, ka shtuar ajo.