Shënohet rasti i parë me koronavirus në Greqi

Koronavirusi është shndërruar tashmë në një rrezik serioz për të gjithë Europën, ku së fundi është shënuar dhe rasti i parë në Greqi.

Lajme

26/02/2020 08:31

Mediat greke raportojnë se mostrat e një pacienti të trajtuar në Spitalin Attica kanë rezultuar pozitive me koronavirus.

I infektuari është një burrë nga Pireu, ndërsa nuk jepen më shumë detaje, nëse ai ka qenë në ndonjë nga shtetet e prekura masivisht nga ky virus.

Koronavirusi është kthyer në një alarm botëror, teksa numri i viktimave deri më tani ka shkuar në 2765, ndërsa i të infektuarve në mbi 81 mijë, në mbarë botën.

Ndërkohë në Itali numri i të infektuarve është rritur duke shkuar në 325, ku mbrëmë raportohej për 323.

Deri tani numërohen 11 viktima, ku viktima e fundit u rregjistrua dje. Ajo ishte një e moshuar 76 vjeçare e cila ndërroi jetë në spital. Sipas shpërndarjes, 9 viktima janë në rajonin e Lombardisë, ndërsa dy viktima numërohen në Veneto.

Kujtojmë që edhe në vendet kufitare me Italinë janë rregjistruar të infektuar me virusin vdekjeprurës. Në Zvicër është shënuar një person, ndërsa në Austri 2 të tillë. Pikat kufirtare të Italisë me vendet fqinje kanë kontroll të lartë.