“Shenjtërimi i Nënës Terezë” zgjedhit pulla më e bukur postare në botë

Pulla postare “Shenjtërimi i Nënës Terezë”  është zgjedhur pulla më e bukur postare në botë, e tematikes religjioze, nga organizata International Philatelic Prize "Saint Gabriel".

Lajme

01/10/2017 13:55

Në Verona të Italisë, të dielën, është mbajtur një ceremoni e veçantë për t’i ndarë këtë shpërblim Postës së Kosovës.

Kjo pullë postare është lëshuar në qarkullim nga Posta e Kosovës vitin e kaluar, në prag të shenjtërimit të Nënës Terezë nga Papa Françesku.

Në prani të përfaqësuesve ndërkombëtar nga vende të ndryshme çmimi për pullën më të bukur i është dorëzuar Kryeshefit Ekzekutiv Sejdi Hoxha.

Ai ka falënderuar jurinë ndërkombëtare dhe të gjithë të pranishmit duke theksuar se ky çmim është një lajm i mirë jo vetëm për Postën e Kosovës por edhe për të gjithë qytetarët e vendit tonë.

“Ne jemi shumë krenar për këtë shpërblim ashtu siç jemi krenar me Shën Terezën”, ka thënë ai.

Hoxha ka theksuar se Filatelia e Postës së Kosovës ka emetuar pulla postare për trashëgiminë religjioze në Kosovës e këtë do ta bëjë edhe në të ardhmen.

Së bashku me drejtorin e Shitjes dhe Marketingut, Bashkim Mustafa, kryeshefi Hoxha ka takuar zyrtarë të ndryshëm përfshirë përfaqësues të Postës Italiane dhe Postës së Vatikanit. Në ceremoni kanë marrë pjesë edhe Danilo Bogoni, president i Filatelisë së organizatës International Philatelic Prize “Saint Gabriel”, kryetarja e qytetit  Legnango, Clara Scapin, e të tjerë.

Autore e pullës postare për Nënën Terezë është producentja Diana Toska, ndërkaq dizejnatore Hilminjeta Apuk.

Është hera e dytë brenda këtij viti që pullat postare të Postës së Kosovës shpërblehen me çmime ndërkombëtare. /Lajmi.net/

screenshot_2