Shenja tjetër e pjekurisë së Kosovës
Ambasadorja Amerikane, Tracy Jacobson, e konsideron i shenjë të mirë demokratike mundësinë që serbët e Kosovës të mund të votojnë për zgjedhjet e Serbisë. Thotë se për një gjë të tillë po përgatiten modalitetet.
Lajme
Ambasadorja Amerikane në Kosovë, Tracy Ann Jacobson, thotë se e di që po përgatiten modalitete dhe forma të mbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare serbe, që pritet të zhvillohen në mars të këtij viti, në mënyrë që në këto zgjedhje të marrin pjesë edhe persona me nënshtetësi të dyfishtë nga Kosova.
Jacobson e konsideron si shenjë të mirë demokratike mundësinë e votimit edhe në Kosovë të atyre qytetarëve që kanë nënshtetësi të dyfishtë.
Gjersa po merrte pjesë në përfundimin e renovimit të Kishës së “Shën Stefanit” dhe Shtëpisë së Famullisë në Hoqë të Madhe, Ambasadorja Amerikane ka thënë se për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve në Kosovë janë duke u përgatitur modalitete.
“Mendoj se është e rëndësishme që njerëzit të kenë mundësi të votojnë dhe siç ka thënë Kryeministri personat që kanë nënshtetësi të dyfishtë, atëherë ata duhet ta kenë mundësinë që të votojnë”.
“Unë e di që janë duke u përgatitur modalitetet për këtë. Dhe, mendoj se modalitetet që do të lejojnë serbët në Kosovë të votojnë në zgjedhjet e Serbisë do të jetë një shembull i mirë për demokracinë”.
“Kjo është një shenjë e pjekurisë së Kosovës”.