Shëndetësia e Kosovës si në Pakistan

LDK shpreh shqetësim për gjendjen e shëndetit publik në Kosovë. Ekspertët e shëndetësisë së kësaj partie kanë krahasuar shëndetësinë kosovare me atë të vendeve të treta si Pakistani dhe vende tjera afrikane.

Lajme

02/02/2014 13:48

Gjendja në sistemin shëndetësor publik të Kosovës gjatë këtij viti është përkeqësuar.

Kështu kanë thënë sot në një konferencë shtypi ekspertët e shëndetësisë së kësaj partie, të cilët kanë vlerësuar se Qeveria e Kosovës ka vazhduar të mos e ketë prioritet shëndetin publik.

Përfaqësues të LDK’së e kanë krahasuar nivelin e investimeve në shëndetësi në Kosovë e kanë krahasuar me shtete si Pakistani, Eritria etj.

“Gjendja në sistemin shëndetësor publik të Kosovës sa vie e përkeqësohet përditë e më shumë. Kjo, për faktin se shëndeti i popullatës kosovare vazhdon të mos jetë prioritet i kësaj Qeverie, e cila edhe për vitin 2014, por edhe për tri vitet në vijim, për sektorin e shëndetësisë ka projektuar një buxhet tejet të vogël i cili as për së afërmi nuk i plotëson kërkesat reale të popullatës”.

“Ndarja e vetëm pak më shumë se 100 milion euro për Ministrinë e Shëndetësisë për vitin 2014, apo thënë më mirë vetëm rreth 55 euro për kokë banori në vit, bën që ky sektor të jetë i nënfinacuar dhe në pamundësi për të kryer me sukses shërbimet e nevojshme shëndetësore”.

“Nëse e shprehim në shifra ekonomike, shpenzimet totale për shëndetësi si % e GDP (Gross Domestic Product) në Kosovë sillen nën 3% (në botë janë vetëm 13 shtete nën 3%, si p.sh. Sudani Jugor, Katari, Omani, Pakistani, Eritrea, Indonesia, Turkmenistani)”.

“Kosova ka përqindjen më të ulët (që nga GDP ndan për shëndetësi) në të gjitha vendet rajonit: BiH e Serbia mbi 10%, Kroacia rreth 8%, Maqedonia rreth 6.5%. Dhe, nëse kësaj i shtojmë faktin se edhe ky buxhet i vogël keqmenaxhohet, atëherë nuk kemi si të presim shëndetësi më të mirë, dhe as të jemi optimist se kjo do të ndryshojë për të mirë, të paktën me këtë Qeveri”.

“Keqmenaxhimi është i pranishëm në pothuajse të gjitha aspektet dhe nivelet. Padyshim, se kjo më së miri shihet në fushën e diagnostikës, aty ku pacientët vuajnë dhe, në të njëjtën kohë paguajnë më së shumti”.

“Aparatura dhe pajisjet mjekësore, si CT, Rezonaca, Koronarografia, EEG, Scintigrafia e të tjera, në sektorin publik “prishen” për ditë, janë në defekt pjesën më të madhe të kohës, ndërkohë që pacientët shpenzojnë me qindra mijëra euro nëpër klinikat private brenda dhe jashtë Kosove”.

“Vetëm gjatë vitit 2013, për këtë qëllim MSH ka shpenzuar mbi 4 milion euro; nëse kësaj i shtojmë edhe shpenzimet personale të pacientëve, atëherë rezulton se brenda 1 viti qytetarët tanë shpenzojnë me dhjetëra miliona euro për shërbime shëndetësore nëpër spitalet private brenda dhe jashtë Kosovës”.

“LDK i inkurajon te gjithë profesionistët shëndetësor të cilët i plotësojnë kushtet ligjore, të aplikojnë , sepse mbarëvajtja e sistemit shëndetësorë është në varshmëri direkte edhe nga kualiteti i menaxhmentit , dhe kjo e tëra është në interes të gjithë qytetarëve të Kosovës”.

LDK ka shprehur disa rekomandime për të dalë nga kjo gjendje në shëndetësi.

“Shëndetësia të jetë një nga prioritetet qeveritare, ku do të rriten investimet, do të rritet transparenca dhe menaxhimi i përgjegjshëm i parasë publike. Kërkojmë që njëherë e përgjithmonë, sektori i shëndetësisë të nxirret nga rruga e skandaleve, korrupsionit dhe keqmenaxhimit”.

“Të rritet buxheti për shëndetësi, të paktën në nivelin e vendeve të rajonit. Krahas kësaj, të krijohet ambient i përshtatshëm, hapësirë dhe oferta atraktive për profesionistët e shumtë shëndetësor nga Kosova të dëshmuar për ekspertizën e tyre në vendet e Bashkësisë Evropiane dhe SHBA që të kthehen dhe japin kontributin e tyre të çmuar në zhvillimin e sistemit shëndetësor në Kosovë”.

“Të përshpejtohen reformat shëndetësore, veçanërisht për funksionalizimin e sigurimeve shëndetësore. Përkrahje financiare të veçantë për tre vitet e para, për ngritjen e infrastrukturës për fondin e sigurimeve shëndetësore deri në pavarësimin financiar të tij”.

“Të rregullohen raportet në mes të sektorit publik-privat ku do të sundoi rendi, rregulli, kriteret dhe standardet etiko-profesionale në të dy sektorët”.

“Të punohet më shumë në gjetjen e donatorëve vendorë dhe ndërkombëtarë për shëndetësinë, në mënyrë që të mbulohen sadopak zbrazësitë që ka shkaktuar mospërkrahja financiare qeveritare për këtë sektor”.