Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë: Ikjet nga Kosova tragjedi

Shefi i Zyrës sё Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zhbogar, thotë se secili qytetar që po ik nga Kosova është tragjedi në vete. Ai thotë se ata po ikin për një jetë më të mirë, por sipas tij ky do mbetet vetëm një iluzion.

Lajme

06/02/2015 22:12

Zhbogar në një intervistë në RTV 21, ka thënë me plot vendosmëri se asnjëri nga ta nuk mund të merr azil në shtete e BE-së. 

Shpjegon se azil mund të marrin njerëzit që ikin nga vendet e luftës apo vendet e pasigurta për jetë, e që Kosovën nuk e sheh si të tillë. 

I quan tragjedi pamjet në Stacionin e Autobusëve, teksa ikin pleq e fëmijë. 

“Atyre duhet tu shpjegohet që nëse shkojnë vetëm për një kohë mund të qëndrojnë atje por do kthehen. Do të kthehen pas disa muajsh. Kosova duhet të shikojë me kujdes organizatorët e udhëtimeve, agjencionet që i dërgojnë. Kjo po organizohet me Serbinë apo në Serbi. Duhet të ketë bashkëpunim më të madh me Serbinë, apo policinë e këtij vendi. Ka plotë elemente që duhet vepruar. Por, ne duhet që në ndonjë mënyrë apo tjetër të kthejmë shpresën e njerëzve se këtu do të ketë një jetë më të mirë”, thotë Zhbogar. 

Ai ndër të tjera thotë se kryeministri dhe ministrat kanë ide dhe plane për zhvillim ekonomik, por sipas tij, ata janë shkurt në udhëheqje dhe se shumë kriza u kanë rënë mbi supe. “Ata japin shpresë për zhvillim ekonomik dhe sundim të Ligjit”. 

Vlerëson se ka njerëz të mirë, profesionalë, në Kosovë. Madje edhe nëpër subjekte politike, por sipas tij, duhet vepruar dhe të vendosen në vendet e duhur. 

Paralajmëron se ky migrim, apo krizë e panik, siç e quan ai, mund të ndikojë në liberalizimin e vizave. 

“Diçka e ka nxitur këtë. Ata po kërkojnë azil dhe po dërgojnë fotografi që nuk po u duket keq dhe po nxisin edhe të tjerët. Kur të fillojnë t’i kthejnë shumë shpejtë në numër të madh, ky panik, ky emocion do të ndalet. Nuk po themi se duhet të ketë zero migrim nga Kosova, por duhet ulur shifrat, gjithsesi dhe shpejt. Prandaj, do të shohim rënie të madhe të shifrave të migrimit. Të kthehen nga 20 mijë brenda vitit. Dhe kjo krizë nuk po ndihmon aspak në liberalizimin e vizave. Njerëzit në Evropë janë alarmuar dhe kjo rrezikon shumë nëse atyre u mundësohet të lëvizin lirshëm”, thotë ai. 

Pavarësisht kësaj, thotë, se nuk duhet prishur marrëveshja me Serbinë dhe nuk duhet ndaluar ata që të hyjnë në Serbi, sepse ka të bëjë me të drejtat e njeriut. Kërkon veprime nga Qeveria që të mund të ndalen ikjet që po ndodhin.