Shefi i OKB-së fton ekonomitë e mëdha të angazhohen më shumë për klimën

19:58 | 11 Dhjetor 2019

Shefi i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, u bëri thirrje ekonomive të mëdha botërore, të bëjnë angazhime më serioze për të ulur emetimet e gazrave serë.

“Ne kemi nevojë që emituesit e mëdhenj të kuptojnë se roli i tyre është thelbësor, sepse nëse emituesit e mëdhenj dështojnë, gjithçka do të dështojë”, tha Guterres në një intervistë për Reuters.

Çështja e ndryshimeve klimatike po diskutohet në një samit të Kombeve të Bashkuara, që po mbahet në Spanjë.

Mijëra përfaqësuesë nga të gjitha vendet e botës po diskutojnë për masat që duhet ndërmarrë për të zbatuar Marrëveshjen e Parisit për klimën, e cila parasheh uljen e emetimit të grazrave serë dhe një sërë masash tjera.

Vende të mëdha ndotëse si Kina, India dhe Shtetet e Bashkuara nuk pritet të bëjnë zotime të reja në samit.

Shtetet e Bashkuara kanë paralajmëruar se do të tërhiqen nga pakti.

Sidoqoftë, Guterres shpreson se bisedimet do të përfundojnë të premten, me një sinjal të fortë, se qeveritë janë të gatshme të paraqesin plane më ambicioze të klimës në vitin 2020, që shihet si një vit vendimtar për marrëveshjen e Parisit.

Gjatë 10 viteve, katastrofat e nxitura nga ngrohja globale si ciklonet, përmbytjet dhe zjarret, detyruan më shumë se 20 milionë njerëz në vit të largohen nga shtëpitë e tyre, thuhet në të dhënat e organizatës bamirëse britanike Oxfam.