Shefi i EULEX-it: Nuk jemi “Spiderman” as “Superman”

Prokurorët e Kosovës kanë hequr dorë nga hetimet e disa rasteve të rënda, duke thënë se po kanë frikë të merren me to, bën të ditur shefi i ri i misionit të EULEX-it, Gabriele Meucci. Ai thotë se EULEX nuk është “Spiderman” a “Superman” dhe as s’ka ardhur për të futur secilin në burg.

Lajme

26/12/2014 08:00

Skandalin e korrupsionin me EULEX, Meucci e quan në “Zëri” pretendim për të cilin nevojitet kohë që të zbulohet e vërteta.

Thotë se raporti i parë i hetimeve do të publikohet më së largu në prill 2015. Por, shefi i ri i EULEX-it, Gabriele Meucci, e pranon se kjo situatë e ka zbehur kredibilitetin e këtij misioni dhe besimin e qytetarëve.

Në intervistën ekskluzive për gazetën “Zëri”, ai tha se do të punojë për rikthimin e besimit, por duke i bërë me dije kosovarëve se ky mision nuk është as “Spiderman” dhe as “Superman”, dhe se në Kosovë nuk ka ardhur për të futur secilin në burg.

Meucci tha se, megjithatë, janë qindra raste të hetimeve që prokurorët e këtij misioni po vazhdojnë t’i hetojnë nga e kaluara.

Ai bëri të ditur se prokurorët vendorë, edhe pas marrjes së kompetencave të plota për të hetuar rastet e reja, po ndihen të frikësuar dhe po kërkojnë nga EULEX-i që të merren me to.

“Ne jemi duke lëvizur përpara, jemi në gjendje për të jetësuar këtë projekt, ky projekt është shumë i gjerë, projekt i gjatë, profesionistët janë duke u marrë me sektorë të veçantë të këtij projekti”, ka thënë Meucci.