Shefi i EULEX-it fton gratë kosovare të marrin role në shoqëri

EULEX-i ka dërguar një deklaratë të shefit të saj Gabriele Meucci me rastin e 8 Marsit Ditës ndërkombëtare të Gruas.

Lajme

07/03/2015 20:53

Ai ka thënë se përfshirja e grave në jetën shoqërore dhe politike në Kosovë, ka shënuar përparime, por duhen përpjekje edhe të mëtejme, që ato të sigurojnë mundësi të barabarta.

“Janë bërë përmirësime në qëndrime për sa i përket grave në Kosovë. Shumë iniciativa tani ekzistojnë dhe ato synojnë çështjet që kanë të bëjnë me vetëdijesimin për barazinë gjinore mes grave dhe burrave, në shtëpi dhe në jetën publike. Kështu gratë gjithnjë e më shumë janë duke iu qasur arsimit dhe punësimit, si dhe fushës së sundimit të ligjit. Mirëpo, duhet të bëhen përpjekje edhe të mëtejme për të siguruar që gratë të kenë mundësi të barabarta në realizimin e të drejtave të tyre. Rezultati nga ndërtimi i paqes ndikon në mënyrë të barabartë, si te burrat ashtu edhe te gratë. Prandaj, gratë duhet të përfshihen në mënyrë të barabartë në proceset e ndërtimit të paqes, në mënyrë që këto procese të jenë të qëndrueshme”, thuhet në deklaratën e Meuccit.

Sipas tij këtë e thekson edhe Rezoluta 1325 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkruara dhe EULEX-i e ka për detyrë që këtë rezolutë ta merrr parasysh gjatë aktiviteteve të brendshme dhe të jashtme. Kjo është veçanërisht e rëndësishme për një mjedis të pas-konfliktit siç është Kosova, thotë Meucci.

“Zëvendësja e Shefit të misionit tonë, Joelle Vachter, gjatë karrierës së saj tridhjetëvjeçare ka arritur të jetë në krye të mjediseve të cilat ishin të dominuara nga meshkujt, duke e përfshirë ushtrinë franceze dhe xhandarmerinë franceze. Në EULEX punojnë shumë gra të cilat janë gjyqtare të larta, prokurore dhe police. Këto janë gra të cilat janë ngritur në detyrë në fushat të cilat dominoheshin nga meshkujt. Unë dhe Joelle fuqishëm e përkrahim iniciativën për Ditën Ndërkombëtare të Gruas dhe i nxisim gratë e Kosovës që të mos lejojnë që paragjykimet shoqërore për rolin e grave të jenë pengesë për synimet e juaja. Unë po ashtu i nxis edhe të gjithë burrat në Kosovë që të reflektojnë për rolin themelor që e kanë gratë në promovimin dhe avancimin e paqes nëpër botë”, ka thënë shefi i EULEX-it.