Shefi i AKI’së shantazhon ndërtuesin e objekteve
Një ndërtues nga Gjakova e akuzon shefin e AKI’së, Bashkim Smakaj, për kërcënim dhe shantazh në forma të ndryshme. Ai tregon se Smakaj e kishte thirrur dy herë gruan e tij në zyrë, ndonëse firma e saj kishte kontratë me MAP për ndërtimin e dy objekteve të AKI.

Lajme
Lindon Kqira e akuzon shefin e Agjencisë Kosovare të Inteligjencës (AKI), Bashkim Smakaj, për kërcënime, shantazhe, presione e fyerje të shumta. Ato i ka mbajtur në vete deri tash. Ka vendosur të tregojë për disa takime me shefin e Agjencisë Kosovare të Inteligjencës në Prishtinë dhe Pejë, shkruan ‘Koha Ditore’.
Kqira është menaxher i një firme që ka ndërtuar dy objekte të AKI’së në Pejë dhe Prishtinë. Gruaja e tij, Magdalena, është pronare e firmës “Magg Holding”. Smakaj e kishte thirrur “urgjent” Magdalenen, ndonëse nuk kishte asnjë punë me të. Në takimin e parë ajo e kishte marrë djalin 7 vjeç me vete.
Tenderin për ndërtimin e këtyre dy objekteve e kishte shpallur Ministria e Administratës Publike të Kosovës. Fitues ishte shpallur kompania e Kqirës në vlerë mbi 600 mijë euro. Por, Smakaj, sipas tij, kishte thënë se ose atë do ta përzinte nga punishtet, ose ai do të jepte dorëheqje nga pozita e drejtorit të AKI’së.
Lindon Kqira thotë se me presion të Smakajt, MAP’i ia ndërpreu kontratën. Për punë të pakryera rreth 401 mijë euro, MAP’i ia ka dhënë tenderin një firme tjetër në vlerë mbi 160 mijë euro. Smakaj dhe MAP’i kanë heshtur të enjten, tregon “Koha Ditore”.