SHBA zgjat emergjencën kombëtare në lidhje me Ballkanin Perëndimor

Shtëpia e Bardhë e vazhdoi edhe për një vit emergjencën kombëtare në lidhje me Ballkanin Perëndimor, të shpallur me urdhër ekzekutiv më 26 qershor të vitit 2001.

Bota

20/06/2019 10:09

Në një deklaratë të lëshuar më 18 qershor kujtohet se presidenti amerikan, më 2001, ka shpallur emergjencë kombëtare në lidhje me Ballkanin Perëndimor, për të trajtuar, siç është thënë, kërcënimin e pazakontë ndaj sigurisë kombëtare dhe politikës së jashtme të SHBA-së, që vjen nga veprimet e personave të angazhuar, ose që ndihmojnë, sponsorizojnë apo mbështesin dhunën ekstremiste në Republikën e Maqedonisë, e cila sot njihet si Maqedoni e Veriut.

Kjo gjendje e emergjencës kombëtare, thuhet në deklaratën e Shtëpisë së Bardhë, do të trajtonte edhe kërcënimin që sjellin veprimet e atyre që pengojnë zbatimin e Marrëveshjes së Dejtonit në Bosnje e Hercegovinë ose Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për Kosovën, përcjell rel.

Presidenti amerikan e ka ndryshuar këtë urdhër në vitin 2003, për të marrë hapa shtesë “lidhur me aktet që pengonin zbatimin e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit të vitit 2001, në lidhje me Maqedoninë”, thuhet në deklaratë.

“Veprimet e personave që kërcënojnë paqen dhe përpjekjet ndërkombëtare për stabilizim në Ballkanin Perëndimor, përfshirë aktet e dhunës ekstremiste dhe aktivitetin pengues, vazhdojnë të përbëjnë kërcënim të pazakontë për sigurinë kombëtare dhe politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara. Për këtë arsye, emergjenca kombëtare, e shpallur më 26 qershor, 2001, dhe masat e miratuara në atë datë dhe më pas, për t’u marrë me këtë emergjencë, duhet të mbeten në fuqi përtej 26 qershorit, 2019”, thuhet në deklaratën e Shtëpisë së Bardhë, ku po ashtu saktësohet se emergjenca kombëtare do të zgjatet edhe për një vit.