SHBA, thirrje Hong Kongut të tërheqë projektligjin për ekstradimet

Presidenti Donald Trump, shpreson që Hong Kongu dhe Kina të gjejnë një rrugë-zgjidhje, pas protestave masive kundër një projekt-ligji që do t’i mundësonte Pekinit të kërkonin ekstradimin e të dyshuarve për krime në Hong Kong, për t’u gjykuar në Kinë.

Bota

13/06/2019 20:06

Presidenti Trump nuk shprehu mbështetjen e tij për njërën, apo tjetrën palë në këtë polemikë, por Departamenti i Shtetit dhe disa ligjvënës ndajnë shqetësimin e qytetarëve të Hong Kongut, se projektligji mund të rrisë kontrollin e Kinës mbi rajonin autonom të Hong Kongut.

Gjatë tre ditëve të fundit, Policia e Hong Kongut përdori gaz lotsjellës dhe plumba gome për të shpërndarë protestuesit, të cilët kundërshtojnë projekt-ligjin.

Protesta masive e së dielës kaloi qetë, por trazirat e së mërkurës detyruan ligjvënësit e Hong Kongut të anulojnë debatin e planifikuar për projektligjin e ekstradimeve.

Presidenti Donald Trump u tregua i përmbajtur kur iu kërkua një koment, gjatë konferencës për shtyp me homologun e tij nga Polonia Andrzej Duda.

“E kuptoj arsyen e demonstratave, por jam i sigurt që do të arrihet një zgjidhje. Shpresoj që kriza të tejkalohet në bashkëpunim me Kinën.”

Ligjvënësi demokrat nga Masaçusets, Jim McGovern, nuk ishte kaq i përmbajtur.

“Jam i tmerruar me ngjarjet në Hong Kong. Protestuesit paqësorë po përballen me dhunë nga forcat e sigurisë në Hong Kong. Është mizori dhe duhet të ndalet.”

Kundërshtarët e ligjit e shohin atë si një rrezik të cënimit të sistemit të pavarur juridik të qytetit nga Pekini, duke i dhënë mundësi qeverisë komuniste të kapë kundërshtarë politikë nga Hong Kongu. Shefja ekzekutive e qytetit, Carrie Lam, tha se ligji do të shmangë mangësitë ligjore që u mundësojnë kriminelëve të gjejnë strehë të sigurt në Hong Kong dhe ajo këmbëngul në miratimin e ligjit.

“Nuk do të bëja asgjë që nuk është në interes të Hong Kongut”.

Ligjvënësi McGovern paralajmëroi se ligji do të dëmtonte statusin e Hong Kongut si qendër ndërkombëtare e biznesit. Ai i tha Zërit të Amerikës se ligjvënësit amerikanë i kanë kërkuar drejtueses së Hong Kongut ta tërheqë projektligjin e ekstradimit dhe të vazhdojë bisedimet me ekspertët ligjorë dhe shoqërinë civile.

“Ne duhet të sigurohemi që pronarët e bizneseve dhe të tjerët në Hong Kong, qytetarët amerikanë në Hong Kong, do të mbrohen. Të drejtat e tyre do të respektohen dhe ne duhet të sigurohemi që atje ka qëndrueshmëri.”

Hong Kongu është kthyer në vatër protestash të mëdha nga koha kur kontrolli i qytetit kaloi nga Britania tek Kina në vitin 1997, por qyteti nuk ka patur shumë sukses që të mbajë larg ndikimin e Kinës. Aktivistët thonë se protestat janë vendimtare për ruajtjen e autonomisë së Hong Kongut.