SHBA-të ftojnë Berishën që të reflektojë për sjelljen e tij

Një deklaratë, që Berisha e bëri të enjten gjatë seancës në Parlament, ka sjellë reagimin e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë.

Lajme

29/05/2014 21:57

Në akuzat e tij, Berisha përmendi motrën e ministres së Mbrojtjes, Mimi Kodheli, punonjëse e OPDAT, se duke shfrytëzuar këtë detyrë ka bërë presion në Prokurori për arrestimin e gjeneralit Syrja Gjoka disa javë më parë.

OPDAT është mision amerikan që asiston drejtësinë dhe policinë shqiptare prej vitesh, prandaj edhe reagimi i Ambasadës së Shteteve të Bashkuara nuk ka vonuar.

“Jemi të skandalizuar me pretendimin e pabazë ngritur ndaj një punonjësi të ambasadës më herët sot nga zoti Sali Berisha, anëtar i parlamentit, gjatë një seance parlamentare”, thuhet në një njoftim për shtyp, ku sqarohet:

“Zoti Berisha pretendoi se një punonjës shqiptar i ambasadës ishte përpjekur të ndërhynte në një çështje hetimi penal në proces thjesht mbi bazën e marrëdhënies së punonjësit të ambasadës me një anëtar të Këshillit të Ministrave. Pretendimi është tërësisht i pavërtetë dhe i pabazë”, theksohet në njoftim.

Ambasada e SHBA-ve thotë më tej se këmbëngul për nivelin më të lartë të integritetit dhe llogaridhënies të secilit anëtar të misionit të saj.

 

“Ambasada e Shteteve të Bashkuara i bën thirrje zotit Berisha që të reflektojë për sjelljen e tij”, thuhet në njoftimin e selisë diplomatike.

Deklarata e Ambasadës së SHBA-ve është një ndër reagimet më të forta dhe të drejtpërdrejta të bëra ndonjëherë nga kjo përfaqësi diplomatike për çështje që kanë të bëjnë me debatin politik shqiptar.

(Top Channel)