SHBA-të dhe Britania bojkotojnë samitin e investimeve në Arabinë Saudite

Sekretari i ministrisë së Financave të SHBA-së, Steven Mnuchin dhe Sekretari i Tregtisë së Mbretërisë së Bashkuar, Liam Fox kanë bojkotuar një konferencë investimi në Arabinë Saudite.

Bota

18/10/2018 21:24

Veprimi i tyre vjen pasi që vendi është duke u përballur me akuzat për vrasjen e gazetarit, Jamal Khashoggi.

Khashoggi nuk është parë që kur se hyri në konsullatën saudite në Stamboll me dy tetor, ku zyrtarët turq pohojnë se ai u vra.

Arabia Saudite, e cila mohon vrasjen, lejoi hetuesit për këtë rast, raporton BBC.

Ministrat e financave të Holandës dhe Francës si dhe disa politikanë të tjerë dhe udhëheqës të biznesit, kanë thënë gjithashtu se po e bojkotojnë samitin.

Samiti i Iniciativës për Investime të Ardhshme do të zhvillohet nga 23 deri më 25 tetor në kryeqytetin saudit, Rijad, njofton Klan Kosova.

Samiti është duke u pritur nga Princi i Kurorës së Mbretërisë, Mohamed bin Salman, për të promovuar agjendën e tij të reformave.

Senatori amerikan, Mik Pompeo, shkoi në Riad para kësaj jave për të diskutuar për rastin e zhdukjes së gazetarit me Mbretin Salman.

Ai tha se u sigurua se Arabia Saudite do ta hetonte çështjen dhe se ka dërguar porosinë e Trump që t’i jepte vendit “disa ditë të tjera” para se të vendoste nëse do të vepronte.

Ndërkohë, disa grupe të profilit të lartë të të drejtave të njeriut kanë kërkuar që Turqia t’i kërkojë OKB-së të hetojë vrasjen e mundshme të Khashoggit.