SHBA-të dënojnë sulmet ajrore siriane në Raqqa

Shtetet e Bashkuara janë shprehur të “tmerruara” për sulmet vdekjeprurëse ajrore të regjimit të presidentit të Sirisë, Bashar al Assad, në bazën e militantëve të Shtetit Islamik në qytetin Raqqa.

Bota

27/11/2014 10:57

Aktivistët për të drejtat e njeriut kanë raportuar se afro 100 vetë janë vrarë në sulmet me bomba nga aeroplanët luftarakë të Sirisë më 25 nëntor, ndërsa konsiderohet se gjysma e tyre ishin civilë.

Departamenti amerikan i Shtetit i ka dënuar sulmet e tilla ajrore, duke thënë se për regjimin e Bashar al-Asadit, jeta njerëzore nuk ka vlerë, raporton RFE.

“Ne jemi të tmerruar nga raportet se nga sulmet e fundit ajrore të regjimit të Assadit në Raqqa në Siri, janë vrarë dhjetëra civilë dhe janë shkatërruar hapësirat e banimit”, tha zëdhënësja e Departamentit amerikan të shtetit, Jen Psaki, nëpërmjet një kumtese.

Shtetet e Bashkuara e kanë krijuar një koalicion me më tepër se 60 vende, në luftën kundër militantëve të “Shtetit Islamik”, që kanë marrë territore të gjëra në Irak dhe Siri.