SHBA sugjeron Kosovën të fokusohet te sundimi i rendit dhe ligjit

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, ka pritur në takim zëvendës/ndihmës sekretarin amerikan të Shtetit, Hoyt Yee, me të cilin bisedoi për zhvillimet aktuale në Kosovë, normalizimin e marrëdhënieve me Republikën e Serbisë në kuadër të dialogut që po zhvillohet në Bruksel dhe përmbushjen e obligimeve të Kosovës karshi bashkësisë ndërkombëtare.

Lajme

12/02/2015 11:38

Zëvendës/ndihmës sekretari i Shtetit i SHBA-së, nga ana e tij, e përgëzoi presidenten Jahjaga për lidershipin dhe udhëheqjen e gjithë procesit të lehtësimit të diskutimeve me liderët e partive politike, që çoi në zgjidhjen e krizës institucionale dhe ndërtimin e institucioneve të Kosovës.

Ai e vlerësoi rifillimin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dhe nënshkrimin e Marrëveshjes për Drejtësi ndërmjet dy kryeministrave në Bruksel dhe tha se ky proces duhet të vazhdojë, meqë çon drejt normalizimit të marrëdhënieve dhe siguron stabilitetin në rajonin e Ballkanit.

Zëvendës ndihmës sekretari amerikan i Shtetit tha po ashtu se Kosova tani duhet punoje ne forcimin e sundimit te ligjit dhe të rendit, te thelloje reformat në vend duke punuar ne zhvillimin ekonomik qe ndihmon perspektivë të qartë evropiane për Kosovën.

Nga ana e saj, presidentja Jahjaga theksoi se marrëveshja e arritur në Bruksel për çështjen e drejtësisë është parë si pozitive dhe si një hap drejt vendosjes së ligjit e rendit në pjesën veriore të Kosovës, përmes një sistemi unik të drejtësisë për gjithë vendin, dhe në respektim të ligjeve të Kosovës, por tha se procesi i dialogut duhet të jetë plotësisht i hapur dhe transparent për qytetarët.

Ajo tha se Kosova vazhdon të jetë e përkushtuar për normalizimin e plotë të marrëdhënieve me Republikën e Serbisë, sepse kjo sipas saj do të hap rrugën evropiane për të dyja shtetet dhe do të përshpejtojë proceset integruese.

Presidentja Jahjaga tha se Kosova duhet të përfshihet në procesin e liberalizimit të vizave dhe të përmbyllë MSA-në me BE-në, si një hap i rëndësishëm për qytetarët e vendit dhe perspektivën e të ardhmen e tyre.

Ajo e njoftoi diplomatin amerikan edhe me zhvillimet e fundit në Kosovë dhe me fenomenin e largimit të qytetarëve nga vendi si dhe angazhimin që po bën për të takuar qytetarët dhe për të biseduar me ta për nevojat, brengat si dhe arsyet e largimit të tyre.

Presidentja Jahjaga tha se institucionet e vendit tani duhet të bëjnë më shumë në vendosjen e sundimit të ligjit dhe të rendit, si dhe në zhvillimin ekonomik të vendit që do të mundësojë edhe hapjen e vendeve të punës, por edhe do të ndihmojë perspektivën e qytetarëve.

Presidentja Jahjaga tha po ashtu se Kosova po përmbushë obligimet e saj karshi bashkësisë ndërkombëtare në fushën e drejtësisë, duke e njoftuar zëvendës/ndihmës sekretarin amerikan të Shtetit me angazhimin e të gjitha institucioneve në procesin gjithëpërfshirës për krijimin e Gjykatës Speciale.

Ajo tha se Kosova duhet të përfshihet në të gjithë mekanizmat ndërkombëtarë dhe në veçanti ata të sigurisë, duke theksuar nevojën e ndërtimit të marrëdhënieve kontraktuale me NATO-n dhe përfshirjen e saj në Partneritetin për Paqe.

Presidentja tha se është një moment i rëndësishëm kur duhet të bëhet transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forcat e Armatosura të Kosovës, dhe e falënderoi qeverinë e SHBA-së për mbështetjen që I ka dhënë Kosovës në këtë proces.