SHBA: Shqetësuese prezenca në Ballkan e luftëtarëve të “Shtetit Islamik”

Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) kanë shprehur shqetësim për prezencën në Ballkan të luftëtarëve, pjesëmarrës në organizatën terroriste të "Shtetin Islamik të Irakut dhe Sirisë" (ISIS), tani të njohur si "Shteti Islamik".

Lajme

30/04/2015 12:43

Zëvendësndihmësi i Sekretarit Amerikan të Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Hoyt Brian Yee, ka thënë se krahasuar me numrin e përgjithshëm të banorëve, pjesëmarrja e qytetarëve të disa prej shteteve të Ballkanit në konfliket e Lindjes së Mesme, sipas tij, mund të quhet shqetësuese.

“Ballkani Perëndimor është një burim thelbësor i luftëtarëve të huaj që luftojnë në Siri dhe Irak, veçanërisht kur merret parasysh proporcioni për kokë banori në raport me popullatën”.

Këto komente zyrtari amerikan i ka bërë gjatë një dëgjimi të mbajtur më 29 prill në Komitetin e Kongresit të Shteteve të Bashkuara për Marrëdhënie me Jashtë, mbi Ballkanin Perëndimor.

“Bosnja e Hercegovina, Kosova, Maqedonia dhe Shqipëria, janë posaçërisht vende të shquara burimi. Individë të caktuar janë duke u radikalizuar dhe motivuar për të luftuar në Siri dhe Irak nga një numër faktorësh. Stagnimi ekonomik dhe mungesa e opsioneve të punësimit janë faktorë. Gjithë kësaj i shtohet pastaj edhe skepticizmi që qytetarët kanë në raport me qeveritë e tyre”, ka thënë në dëshminë e tij Hoyt Brian Yee, përcjell Radio Evropa e Lirë.

Ai ka rikujtuar se “vendet e Ballkanit Perëndimor janë duke e marrë shumë seriozisht këtë kërcënim – Shqipëria, Bosnja e Hercegovina, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia kanë miratuar tashmë ligjin që sanksionon luftëtarët e huaj dhe ata që i mbështesin këta luftëtarë”.

Diplomati amerikan ka thënë gjithashtu se Shtetet e Bashkuara “janë duke ofruar ndihmë thelbësore përmes këshillimeve teknike, trajnimeve në ndërtimin e kapaciteteve për rastet që ndërlidhen me terrorizmin dhe forcimin e bazës ligjore”.

“Madje, Shtetet e Bashkuara kanë emëruar së fundmi një prokuror amerikan në ambasadën amerikane në Tiranë, në cilësinë e një Këshilltari Ligjor Kundër-terrorizmi, me përgjegjësi rajonale”, ka thënë zoti Hoyt Brian Yee, në seancën dëgjimore, të kryesuar nga kongresisti amerikan, Dana Rohrabacher.

Gjatë kësaj seance është folur për secilin vend të Ballkanit Perëndimore veç e veç, duke përmendur këtu sfidat dhe përparimet që këto vende kanë përmbushur.

Në rastin e Kosovës është përmendur edhe çështja e themelimit të Gjykatës së Posaçme për Krime Lufte, duke e cilësuar si të rëndësishme këtë Gjykatë jo vetëm për viktimat, por edhe për të ardhmen e Kosovës në tërësi.

Seancën e plotë dhe dëshmitë e pjesëmarrësve mund t’i lexoni këtu.