SHBA-të s’duan që investimi i tyre, Kosova, të dështojë

E mbërthyer me zënkat e veta të brendshme, Kosova ka harruar se është ndër të parat me numrin  luftëtarëve që i janë bashkuar ISIS-it. Një rikthim i tyre do të ishte fatal për vendin. Për këtë arsye, kjo pritet të jetë edhe pika e fortë e diskutimeve të John Kerryt në Tiranë, e planifikuar edhe me zyrtarë të lartë të Kosovës. Gazetarë nga Tirana thonë se një dështim i Kosovës në këtë drejtim,është edhe dështim i Perëndimit. E SHBA-të nuk pajtohen me këtë mundësi, raporton lajmi.net.

Lajme

12/02/2016 17:16

 

Në Ditën e të Dashuruarve, me 14 shkurt, në Tiranë do të qëndrojë për vizitë, Sekretari Amerikan i Shtetit, John Kerry.

Vizita e tij në Ballkan është e dyta brenda harkut kohor prej tre muajsh. Ai me 2 dhjetor qëndroi për vizitë disa orësh në Prishtinë.

Por edhe tash në kryeqytetin shqiptar, ai pritet të takojë zyrtarë të lartë shtetërorë. Derisa në Prishtinë,i në Aeroportin Ndërkombëtar ‘Adem Jashari’, Sekretari Kerry takoi Kryeministrin Isa Mustafa, në Tiranë, përveç zyrtarëve të lartë të Shqipërisë, pritet të takojë edhe zv.Kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi.

 

John Kerry e Isa Mustafa

Sekretari amerikan i shtetit, John Kerry, gjatë vizitës së tij në Kosovë dhe takimit me Kryeministrin Isa Mustafa me 2 dhjetor 2015

Sidoqoftë, gazetarë nga Tirana deklarojnë se John Kerry do të vijë në Shqipëri, si pjesë e një turneu në Europë,  që ka objektiva shumë më të rëndësishme se sa thjesht dy vendet të vogla, e ku çështja e sigurisë është më e rëndësishmja.

“Gjithsesi, ardhja e tij tregon një lloj shqetësimi të Washingtonit ndaj disa zhvillimeve veçanërisht në Kosovë, që kanë të bëjnë pikërisht me sigurinë”, thotë Erjona Rusi, gazetare e fushës së politikës  në Tiranë.

“Ka shumë raportime mbi interesat e ISIS-it për tu shtrirë në Ballkan madje flitet edhe për kampe trajnimi. Por  sidoqoftë një fakt është i pamohueshëm, është numri i madh i shqiptarëve nga Kosova dhe Shqipëria që janë radhitur përkrah kësaj organizate”.

Rusi beson se këta luftëtarë, nëse rikthehen në vendet e tyre si në Shqipëri e Kosovës, atëherë mund të ketë pasoja, raporton lajmi.net.

“Mos harrojmë që vetë zv.Kryeministri Hashim Thaçi deklaroi se është kërcënuar nga ISIS, (gjithmonë nëse ajo çka deklaroi është e vërtet, në mos qoftë një diversion nga situata aktuale politike)”.

 

John Kerry e Hashim Thaçi

Sekretari amerikan i shtetit, John Kerry gjatë një takimi joformal me Zv.Kryeministrin Hashim Thaçi në Washington me 31 janar 2015.

Sidoqoftë, gazetarja  Erjona Rusi, beson se  ajo që e shqetëson më shumë Washingtonin është se pavarësisht këtyre kërcënimeve, autoritetet në Prishtinë janë të çorientuara për shkak të krizës politike, që dashje apo pa dashje ka lënë pezull shumë procese të rëndësishme.

“Mendoj që Kosova shqetëson më shumë SHBA-të, duke pasur parasysh edhe investimin e tyre jashtëzakonisht të madh atje, në të gjitha drejtimet”, thotë Rusi për lajmi.net.

Ajo beson se dështimi i Kosovës përballë terrorizmit, do të thoshte dështim i Perëndimit, ku peshën më të madhe të këtij dështimi do ta mbanin SHBA-të.

“ Por ajo çka ndodh në Kosovë nuk ndreqet pa ndikimin e Tiranës zyrtare, e kjo tashmë është bërë e qartë. E keqja është se politika jonë është e mbërthyer keq në telashet dhe zënkat e veta, për tu marrë me hallet e Kosovës”.

Për këtë arsye, gazetarja nga Tirana beson se edhe këto zënka  do të jenë  pjesë e diskutimeve që Kerry do të ketë në Tiranë, siç padyshim do të jenë edhe proceset e rëndësishme që po ndodhin aktualisht në Tiranë si  reforma në drejtësi, ndaj së cilës ambasadori amerikan Donald Lu ka treguar angazhim e vëmendje jashtëzakonisht të madhe./lajmi.net