SHBA sanksionon një kompani irakiane të lidhur me Gardën e Iranit

Shtetet e Bashkuara kanë sanksionuar një kompani irakiane, që i ka ndihmuar Gardës Revolucionare të Iranit, për t’iu ikur sanksioneve, duke kontrabanduar armë në vlerë të qindra miliona dollarëve.

Bota

12/06/2019 18:22

Përmes një deklarate më 11 qershor, Departamenti amerikan i Shtetit ka thënë se ndëshkimet shënjestrojnë Kompaninë e Burimeve të Pasurisë së Jugut në Bagdad dhe dy zyrtarë të kësaj kompanie, që pretendohet të kenë ndihmuar në operacionet financiare.

“Departameti amerikan i Thesarit është duke marrë hapa për të ndalur rrjetin e kontrabandimit të armëve, që janë përdorur nga disa grupe në Irak”, ka thënë Sekretari i këtij Departamenti, Steven Mnuchin.

“Sektori financiar i Irakut dhe sistemi i gjerë ndërkombëtar duhet të ashpërsojnë masat mbrojtëse, kundrejt këtyre taktikave të Iranit”, ka shtuar Mnuchin.

Ende nuk ka pasur ndonjë reagim nga Iraku apo Irani për këtë çështje.

Në muajin prill, përmes një vendimi të pashembullt, Shtetet e Bashkuara kanë shpallur Gardën Revolucionare të Iranit si organizatë terroriste.

Sanksionet e reja janë njoftuar teksa kryeministri japonez, Shinzo Abe është duke vizituar Teheranin, me synim të përmirësimit të marrëdhënieve SHBA-Iran.