SHBA me politika të reja për imigracionin

Presidenti amerikan, Barack Obama ka njoftuar për ndryshime rrënjësore në politikat amerikane të imigracionit, duke e cilësuar planin e tij një zgjidhje logjike dhe të balancuar që nuk ofron amnisti masive dhe nuk lejon deportime në masë.

Bota

21/11/2014 11:08

Presidenti shpjegoi urdhrin e tij ekzekutiv për imigracionin në një fjalim televiziv mbrëmë, duke anashkaluar Kongresin dhe duke revoltuar republikanët që janë zotuar të pengojnë planet e presidentit.

Obama tha se të gjithë e kanë të qartë se sistemi aktual ka qenë jofunksional prej dekadash, raporton VoA.

Ai tha se ata që respektojnë rregullat dhe u futën në këtë vend në mënyrë të ligjshme ndjehen të ofenduar nga individët që shkelin rregullat.

Edhe imigrantët pa dokumente që ndodhen në Shtetet e Bashkuara prej të paktën pesë vjetësh dhe kanë fëmijë me shtetësi amerikane, ose me dokumentacion të rregullt si banorë të përhershëm, do të kenë mundësi të qëndrojnë përkohësisht pa u rrezikuar nga deportimi.

“Këta individë duhet të kalojnë kontrollin e biografisë për të vërtetuar se nuk kanë pasur probleme me ligjin dhe të jenë të gatshëm të paguajnë taksa”, thuhet në planin e ri të presidentit për imigracionin.