SHBA, ligjvënësit kërkojnë më shumë transparencë nga Pentagoni

Dy nga ligjvënësit e Kongresit amerikan, përgjegjës për mbikëqyrjen e ushtrisë amerikane, thanë se duan të shohin më shumë transparencë, duke përfshirë më shumë informacione për kamerat nga zyrtarët e lartë.

Bota

12/06/2019 20:23

Kryetari i Komisionit për Shërbimet e Armatosura të Dhomës, demokrati Adam Smith dhe numri dy i këtij komisioni, republikani Mac Thornberry, shqetësohen se mungesa në rritje e transparencës mund të nxisë mosbesimin dhe thanë se kjo prirje duhet të korrigjohet.

“Kjo administratë ka gabuar në anën e mostransparencës,” u tha zoti Smith gazetarëve të hënën i pyetur për një dispozitë në shpenzimet e mbrojtjes që kërkon mbikëqyrje më intensive.

Ndërsa Thornberry, edhe pse më pak kritik ndaj administratës, u tha gazetarëve se Departamenti i Mbrojtjes duhet të bëjë një punë më të mirë.

“Unë mendoj se ndoshta Pentagoni ka anuar pak më shumë në drejtim të mos lëshimit të informacionit,” tha ai.

Ligjvënësi Thornberry tha se angazhimi përfshin një nevojë për më shumë informacione për kamerat nga zëdhënësit më të lartë të Pentagonit – diçka që zyrtarët e mbrojtjes nuk po e bëjnë prej më shumë se një viti.

Shtëpia e Bardhë nuk i është përgjigjur një kërkese të Zërit të Amerikës për të komentuar mbi kritikat, por Pentagoni argumentoi se i ofron publikut dhe medias shumë mundësi për të bërë pyetje dhe për të marrë informacion.

Megjithatë, mungesa e informacioneve përpara kamerave ka nxitur fërkime midis zyrtarëve të mbrojtjes dhe gazetarëve që mbulojnë Pentagonin.