SHBA lavdëron zgjedhjet

Ambasada Amerikane thotë se suksesi i qartë i këtyre zgjedhjeve lokale tregon edhe një herë fuqishëm se Kosova është shtet sovran që kontrollon tërë territorin e saj. Vlerëson se kjo e përforcon kredibilitetin e saj.

Lajme

02/12/2013 17:12

Zgjedhjet e djeshme në Kosovë po vazhdojnë të vlerësohen nga faktori ndërkombëtar i akredituar në Prishtinë.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Kosovë ka përgëzuar qytetarët që votuan në raundin e dytë të zgjedhjeve për Kryetarë të Komunave.

Ambasada Amerikane, në një komunikatë për media, tho0të se mbetet e përkushtuar për të ndihmuar zhvillimin e komunave të Kosovës, përfshirë komunat funksionale, si dhe për investimet në bashkësitë në Veri të Kosovës.

“Përkundër raportimeve të disa parregullsive – shumë prej të cilave i janë paraqitur policisë dhe prokurorisë së Kosovës – gjetjet fillestare sygjerojnë se shumica e qytetarëve morën pjesë në një proces të qetë, sigurtë dhe të besueshëm”.

“Përpjekjet e Komisionit Qendror Zgjedhor në bashkërendim të ngushtë me policinë e Kosovës dhe prokurorët ishte një demonstrim i fuqishëm i faktit se Kosova është e përkushtuar ndaj sundimit të ligjit, dhe se nuk do të tolerojë sjelljet e paligjshme që e pengojnë procesin demokratik”.

“Ambasada pret nga policia e Kosovës dhe prokurorët që ata të vazhdojnë punën e tyre të fuqishme dhe të mbesin syhapur në gjetjen dhe hetimin e paraqitjeve të mashtrimit dhe kërcënimit”.

“Shtetet e Bashkuara presin të punojnë me udhëheqësit e zgjedhur rregullsisht gjersa ata përqëndrohen në punën e rëndësishme të qeverisjes dhe në zbatimin e politikave dhe programeve të cilat i shërbejnë nevojave dhe interesave të komunave të Kosovës.

“Raportet fillestare, sipas vlerësimit të Ambasadës Amerikane, sygjerojnë se Kosova ka ruajtur përmirësimet e bëra në rrethin e parë të zgjedhjeve dhe këto tregojnë se Kosova është plotësisht a aftë që të zhvillojë zgjedhje të besueshme dhe transparente dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare”.

“Ne inkurajojmë udhëheqësit të cilët kanë treguar guxim dhe përkushtim në mbështetjen e zgjedhjeve të lira dhe të drejta që të mbështeten në këtë momentum pozitiv për të kaluar një reformë të vërtetë zgjedhore në përputhje me aspiratat europiane të Kosovës”.

“Suksesi i qartë i këtyre zgjedhjeve lokale tregon edhe një herë fuqishëm se Kosova është shtet sovran që kontrollon tërë territorin e saj gjë që vetëm sa e përforcon kredibilitetin e saj si një demokraci në ardhje e cila ka një perspektivë të vërtetë europiane” .