SHBA-ja shënon deficitin më të lartë tregtar në dhjetë vjetët e fundit

Deficiti tregtar i Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka arritur në nivelin më të lartë në dhjetë vjetët e fundit. Kjo gjendje besohet se është shkaktuar nga tensionimi i marrëdhënieve politike dhe tregtare me Kinën, pavarësisht se presidenti Trump ka vendosur taksë për disa prodhime të importuara.

Bota

06/03/2019 17:29

Departamenti i Tregtisë ka njoftuar se rritja prej 18.8 për qind e deficitit tregtar gjatë muajit dhjetor të vitit të kaluar ka ndikuar që deficiti të arrijë në vlerën e 621 miliardë dollarëve gjatë vitit të kaluar. Deficiti tregtar i vitit 2018 ishte më i larti që nga viti 2008, ndërsa kjo shifër në vitin 2017 ishte 552 miliardë dollarë.

Deficiti tregtar në Shtetet e Bashkuara ka shënuar rritje viteve të fundit, pavarësisht politikave mbrojtëse tregtare të administratës amerikane. Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka thënë se këto masa janë të nevojshme për ta mbrojtur prodhimtarinë amerikane nga konkurrenca e padrejtë në tregun e jashtëm.

Shtetet e Bashkuara vendosën taksa ndaj mallrave kineze, të cilat kanë vlerën e 250 miliardë dollarëve. Ndaj kësaj mase ka reaguar edhe Kina, duke vendosur taksa ndaj mallrave amerikane me vlerë prej 110 miliardë dollarësh. Sidoqoftë, të dyja vendet janë duke zhvilluar negociata tregtare për t’i zgjidhur mosmarrëveshjet, shkruan “Reuters”, transmeton Gazeta Express.