ShBA-ja s’e dëgjon Izraelin, do ta hapë konsullatën për palestinezët në Jerusalem

9:36 | 14 Tetor 2021

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha të mërkurën se administrata e Bidenit synon që ta çojë përpara planin për rihapjen e konsullatës në Jerusalem, e cila tradicionalisht është marrë me palestinezët, pavarësisht kundërshtimit të Izraelit për një veprim të tillë.

Kryediplomati amerikan e përsëriti zotimin që fillimisht e kishte dhënë muaj më parë për rihapjen e konsullatës, e cila ka qenë bazë për shtrirje diplomatike te palestinezët para se të mbyllej nga paraardhësi i Bidenit, Donald Trump, në vitin 2018.

Duke folur në një konferencë të përbashkët për gazetarë me ministrin izraelit të Punëve të Jashtme, Yair Lapid, dhe ministrin e Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheik Abdullah Bin Zayed Al Nahyan, Blinken nuk përmendi ndonjë datë për rihapjen e konsullatës, që do t’i tensiononte raportet me qeverinë e re izraelite.

“Do të lëvizim përpara me procesin e hapjes së një konsullate si pjesë e thellimit të atyre lidhjeve me palestinezët”, tha Blinken në Departamentin e Shtetit.

Adminsitrata e Bidenit është përpjekur që t’i riparojë marrëdhëniet me palestinezët, të cilat janë dëmtuar rëndë gjatë kohës kur në pushtet ishte Donald Trumpi, shkruan Reuters, transmeton Gazeta Express.

Izraeli e cilëson tërë Jerusalemin si kryeqytet të vetin. Palestinezët duan që Jerusalemi Lindor, i kapur nga Izraeli në luftën e vitit 1967, bashkë me Bregun Perëndimor dhe Rripin e Gazës, të jetë pjesë e shtetit që synojnë ta formojnë në të ardhmen.