Të Infektuar: 40.117

Të Shëruar: 25.586

Të Vdekur: 1.026

SHBA-ja do të tërhiqet nga Traktati për Qiej të Hapur

11:22 | 22 Nentor 2020

Shtetet e Bashkuara edhe zyrtarisht pritet të tërhiqen nga Traktati për Qiej të Hapur – një marrëveshje 18-vjeçare për kontrollin e armëve, për të cilën Uashingtoni e ka akuzuar vazhdimisht Moskën se po e shkelë.

Tërheqja nga ky Traktat është paraparë të ndodhë më 22 nëntor dhe është një goditje e radhës që i bëhet sistemit ndërkombëtar të kontrollit të armëve, të cilin, presidenti amerikan, Donald Trump vazhdimisht e ka përbuzur, duke u ankuar se Uashingtoni padrejtësisht po kufizohej në kapacitetet e tij ushtarake.

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo më 21 maj kishte njoftuar për vendimin e SHBA-së që të tërhiqej nga ky traktat dhe dha njoftim paraprak prej gjashtë muajsh 34 shteteve anëtare të këtij pakti, ashtu siç kërkohet edhe me rregullat e Traktatit.

Departamenti amerikan i Shtetit ende nuk ka njoftuar zyrtarisht për tërheqjen nga ky Traktat.

Por, Ministria e Jashtme ruse e ka dënuar këtë vendim të SHBA-së.

“Uashingtoni ka bërë lëvizjen e tij. As siguria evropiane, por as siguria e SHBA-së dhe aleatëve të saj, nuk do të përfitojnë nga ky veprim. Tani, shumë vende në Perëndim do të presin se cili do të jetë reagimi i Rusisë. Përgjigja është e thjesht. Ne vazhdimisht e kemi theksuar se për ne të gjitha opsionet janë të hapura”, tha ministria në një deklaratë të lëshuar më 22 nëntor.

I nënshkruar më 1992, por që hyri në fuqi më 2002, Traktati lejon 34 shtetet anëtare që të kryejnë fluturime vëzhguese, të paarmatosura në territoret e shteteve anëtare, për të mbledhur të dhëna për forcat ushtarake dhe aktivitetet e tyre. Në bazë të këtij Traktati, deri më tani janë kryer mbi 1,500 fluturime vëzhguese.

Këto fluturime vëzhguese, sipas marrëveshjes, ndihmojnë për shembull që shtetet të mësojnë nëse armiqtë e tyre janë duke vendosur trupa apo po përgatiten për sulme./rel