SHBA i jep mbështetje Kosovës për parandalim të trafikimit të materialeve bërthamore
Agjencia e Kosovës për Mbrojtje nga Rrezatimi dhe Siguri Bërthamore, ka nënshkruar Memorandumin e Bashkëpunimit me Departamentin e Energjisë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përmes të cilit synohet zbulimi dhe parandalimi i trafikimit të paligjshëm të materialeve të veçanta bërthamore dhe materialeve të tjera radioaktive.
Lajme
Institucionet përgjegjëse për zbatimin e memorandumit do të jenë Administrata Nacionale për Siguri Bërthamore e SHBA-së dhe Policia e Kosovës.
Beqir Mezelxhiu, kryeshef i Agjencisë ka thënë se qëllimi i këtij memorandumi është që të vendoset niveli i lartë i sigurisë bërthamore dhe që Kosova t’i përmbushë detyrimet ndërkombëtare në zbulimin dhe parandalimin e trafikimit të paligjshëm të materialeve bërthamore dhe atyre radioaktive.
“Administrata për Siguri Bërthamore e shteteve të Bashkuara të Amerikës nëpërmes Memorandumit do t’i ofrojë Policisë së Kosovës bashkëpunim teknik dhe metodik, përfshi këtu montimin dhe përmirësimin e sistemeve teknike për zbulimin dhe identifikimin e këtyre materialeve në pikat e kontrollit kufitar të Kosovës”, ka thënë Mezelxhiu duke bëre te ditur që Kosova nuk është pjesë e traktateve bilaterale në fushën e sigurisë Bërthamore prandaj në mënyrë të njëanshme ka marrë përgjegjësinë ti përmbushë të gjitha obligimet e saj ndërkombëtare.
Rick Clarke, përfaqësues i Departamentit të Energjisë nga ShBA, ka thënë se ky memorandum vë në pah bashkëpunimin e mëtutjeshëm mes ShBA-së dhe Kosovës.
Ky memorandum sipas tij i ndihmon Policisë së Kosovës zbulimin dhe parandalimin e trafikimit të paligjshëm të materialeve të veçanta bërthamore dhe materialeve të tjera radioaktive nëpërmjet bashkëpunimit teknik dhe metodik, përfshi këtu montimin dhe përmirësimin e sistemeve teknike për zbulimin dhe identifikimin e këtij materiali në pikat e kontrollit kufitar të Republikës së Kosovës.
Policia e Kosovës këto pajisje do t’i ketë shumë shpejt në dispozicion./Lajmi.net/