SHBA: Do verifikojmë çdo pushtetar shqiptar që kërkon vizë

​Përballë refuzimit të vizave nga ambasada e SHBA pritet të jenë edhe politikanët. Drejtori i zyrës për çështjet e Evropës Jugore dhe Qendrore Thomas Yazdgerdi në një intervistë për Zërin e Amerikës deklaron se çdo pushtetar që kërkon viza për në SHBA mund të jetë objekt i një praktike të tillë.

Lajme

15/03/2016 21:18

 

“Në rastin e gjyqtarëve atyre u janë mohuar vizat dha baza e këtij mohimi ka qenë korrupsioni. Në Shtetet e Bashkuara një praktikë e tillë bazohet ligjërisht tek dekretet presidencialë dhe kohët e fundit është përdorur në rastin e disa gjykatësve në Shqipëri. Çdo pushtetar që kërkon viza për në Amerikë, mund të jetë objekt i këtyre dekreteve. Ne do t’i shqyrtojmë rastet për të parë nëse një gjë e tillë është e justifikuar”, tha ai.

Për reformën në drejtësi zyrtari amerikan thotë se pret të miratohet shumë shpejt pasi sipas tij palët janë afër konsensusit dhe se Qytetarët shqiptarë duan një sistem drejtësie të pa korruptuar.

Duke i kërkuar politikës të lërë mënjanë debatet Thomas Yazdgerdi i kërkon qeverisë të miratojë ngritjen e Byrosë së hetimit, por ta bëjë këtë me një mbështetje të gjerë dhe konsensus politik.

“Është e rëndësishme që qeveria të arrijë të miratojë, me sa më shumë mbështetje që mundet, ligjet përkatëse për këtë byro. Ne e dimë se qeveria është e interesuar për të pasur një Byro Kombëtare Hetimi, pak a shumë si FBI-ja amerikane”, tha ai.

Ne mendojmë se kjo është një ide e mirë dhe e mbështesim atë. Ajo do të merrej me ndjekjet penale të nivelit të lartë, me korrupsionin në nivele të larta. Kjo është e rëndësishme.

Zyrtari amerikan vlerësoi qëndrimin e Shqipërisë për çështjen e muxhahedinëve duke shprehur mirënjohje për ndihmën në këtë drejtim, nuk zbuloi asnjë shifër por tha se ky proces po zhvillohet në mënyrë të efektshme.