SHBA do ta mbështet ruajtjen dhe mbrojtjen e resurseve ujore në Kosovë

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, do të mbështesin Kosovën në fushën e ruajtjes dhe mbrojtës së resurseve ujore.

Lajme

16/04/2015 13:41

Këtë mbështetje e ka dhënë Zëvendës Sekretari i Departamentit për Punë të Brendshme të ShBA-së, Michael L. Connor, gjatë takimit me ministrin e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferid Agani, në Forumin e 7 Botëror të Ujit, që po mbahet në Gyengju, të Republikës së Koresë së Jugut.

“Zëvendës Sekretari Connor, ka shprehur gatishmërinë për mbështetjen e Republikës së Kosovës në fushën e ruajtjes dhe mbrojtjes së resurseve ujore, bazuar në përvojat e pasura të ShBA-ve, për të cilat edhe ligjëroi sot në Forum”, thuhet në një njoftim të ministrisë.

Ministri Agani, ka falënderuar Zëvendës Sekretarin Connor, dhe mbarë popullin amerikan për ndihmën që ShBA-të kanë dhënë dhe vazhdojnë të japin edhe sot për fuqizimin e shtetit të Kosovës në çdo aspekt.

Në këtë Forum ministri Ferid Agani, ka realizuar një sërë takime pune me homologët nga 15 shtete pjesëmarrëse.

Po ashtu ministri Agani, ka takuar edhe kryetarin e Këshillit Botëror të Ujërave, Benedito Braga, të cilin e njoftoi për gjendjen në të cilën ndodhet Kosova, në aspektin e ujërave, duke thënë se kjo fushë mbetet ndër prioritetet e tij gjatë mandatit katërvjeçar. Forumi i 7 Botëror i Ujërave, i përmbyll punimet nesër.