SHBA dhe Rusia arrijnë marrëveshje për Sirinë

Marrëveshja sqaron procedurat për “shkatërrimin e shpejtë të programit sirian të armëve kimike dhe verifikimin e rreptë”.

Bota

14/09/2013 15:24

SHBA dhe Rusia kanë arritur marrëveshje e cila i bën thirrje Sirisë që t’i largojë apo t’i shkatërrojë armët e saj kimike deri në mes të vitit 2012. Kështu deklaroi Sekretari i Shtetit, John Kerry, të shtunën.

Sipas një marrëveshjeje “kornizë”, inspektorët ndërkombëtarë duhet të jenë në teren në Siri deri në nëntor, tha Kerry, gjatë një konference për shtyp me Ministrin e Jashtëm rus, Sergey V. Lavrov.

Sipas marrëveshjes, Siria duhet të paraqes një “listim gjithëpërfshirës” të stoqeve kimike brenda një jave.

Zyrtarë amerikanë dhe rusë gjithashtu arritën konsensus për madhësinë e stoqeve të Sirisë, si një parakusht thelbësor për çfarëdolloj plani ndërkombëtar për të kontrolluar dhe shkatërruar armët.

“Nëse zbatohet plotësisht”, tha Kerry, “korniza mund të ofrojë më shumë mbrojtje dhe siguri për botën”.

Nëse Presidenti i Sirisë, Bashar al-Assad, dështon dhe nuk i nënshtrohet marrëveshjes, çështja do t’i referohet Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Kerry poashtu tha sa çfarëdolloj shkeljeje do t’i përgjigjet me Kapitullin 7 të Kartës së Kombeve të Bashkuara, e cila autorizon veprim ndëshkues. Por Lavrov bëri të qartë se Rusia, e cila mban të drejtën e vetos në Këshillin e Sigurimit, nuk ka tërhequr kundërshtimet e saja lidhur me përdorimin e forcës.

Deklarata e përbashkët, e cila u dha në ditën e tretë të bisedave intensive, lehtësoi konfrontimin e SHBA-së me Sirinë.

Zyrtarët për kontroll të armëve në të dyja anët kanë punuar gjatë gjithë natës, një proces që i ngjante negociatave të traktatit gjatë Luftës së Ftohtë.

Çështja e largimit të armëve kimike të Sirisë doli në pah të hënën kur Kerry, në një konferencë për shtyp në Londër, shtroi pyetjen se a do të mund të çarmatosej shpejt Assadi, me qellim që të tregojë se ai nuk e ka parë këtë si të mundshme.

“Ai mund t’ia dorëzojë bashkësisë ndërkombëtare secilën fije të armëve kimike javën e ardhshme. T’i dorëzojë, të gjithat, pa vonesë, dhe të lejojë që të llogaritet cdo gjë,” tha ai. “Por, ai nuk e ka ndërmend të bëjë këtë, dhe kjo nuk mund të bëhet, kjo dihet”.

Tash, megjithatë, ajo që më herët është menduar të jetë e pamundshme është bërë vetë plan – i cili do të varej prej bashkëpunimit të Assadit dhe që do të duhej të zbatohej në mes të një lufte civile.

Kerry dhe Lavrov mbajtën një seri të takimeve të premten, duke përfshirë një takim që mbaroi në mesnatë. Të shtunën në mëngjes, të dyja palët vazhduan takimin me ekspertët e tyre të kontrollit të armëve në pishinë të hotelit, ulur nën një cadër të bardhë, duke pirë kafe, gjersa shqyrtonin tekstin e marrëveshjes.

Para konferencës për shtyp, Lavrov tha se ai nuk kishte folur me zyrtarët sirianë përderisa po negocionte në Gjenevë. Zyrtarë të administratës Obama kanë argumentuar që roli i Rusisë ishte esencial, meqe ka qenë mbështetëse kyçe e Qeverisë së Assadit.

E quajtur “Korniza për Eliminimin e Armëve Kimike Siriane”, marrëveshja është e gjatë katër faqe, duke përfshirë anekset e saj teknike. Marrëveshja, e cila sqaron procedurat për “shkatërrimin e shpejtë të programit sirian të armëve kimike dhe verifikimin e rreptë”, thotë që në ditët në vijim, SHBA dhe Rusia do t’ia paraqesin një plan Organizatës për Ndalimin e Armëve Kimike—e cila mbikëqyrë respektimin e marrëveshjes për armë kimike.

Në fjalimin e tij javor, para se të bëhej publike marrëveshja, Presidenti Obama quajti iniciativën ruse për paqë dhe diskutimet e mëpasme “zhvillime pozitive” që përfundimisht mund të shmangin një sulm ushtarak amerikan si kundërpërgjigje ndaj një sulmi me gaz i cili, sipas Shteteve të Bashkuara, ka vrarë më shumë se 1,400 njerëz muajin e kaluar, për të cilën është akuzuar Qeveria e Assad.

“Në rast se diskutimet e tashme prodhojnë një plan serioz, unë jam i gatshëm të vazhdoj përpara me të”, tha Obama në fjalimin e tij javor në radio dhe internet. “Por, ne thjesht nuk do t’i zëmë besë Rusisë apo Assadit lidhur me këtë. Duhet të shohim veprime konkrete për të demonstruar që Assad është serioz në dorëzimin e armëve kimike të tij”. Për të qenë më i sigurt, ai tha do t’i mbajë shkatërruesit amerikanë dhe forcat e tjera në rajon, për një sulm të mundshëm ndëshkues.

(Përktheu D.G.)

(NYTIMES)