SHBA dhe aleatët: Rusia ta sulmojë ISIS-in e jo opozitën në Siri
SHBA-ja, Turqia, Gjermania, Britania e Madhe, Franca, Katari dhe Arabia Saudite kanë reaguar me një deklaratë të përbashkët mbi sulmet e Rusisë në Siri.

Bota
Në një deklaratë të këtyre vendeve thuhet se Rusia duhet ti japë fund sulmeve ndaj opozitarëve dhe civilëve në Siri dhe duhet të përqendrohet në sulmet kundër ISIS.
Në deklaratën ku nxirret në pah shqetësimi mbi këtu sulme thuhet ndër të tjera se: “Si qeveri të SHBA-së, Turqisë, Britanisë së Madhe, Francës, Katarit, dhe Arabisë Saudite në lidhje me operacionet e Rusisë në Siri deklarojmë se: Jemi thellësisht të shqetësuar për dërgimin e shumë trupave Ruse në Siri si dhe sulmet të cilat vazhdojnë që prej ditës së djeshme në Hums, Hama dhe Idlib, sulme këto të cilat kanë në shënjestër opozitarët dhe civilët, si dhe mënjanojnë ISIS”, raporton Anadolu Agency.
Deklarata vazhdon se: “Këto aktivitete ushtarake të cilat janë shkak për rritjen e tensioneve në këtë vend nuk bëjnë gjë tjetër vetëm se ndihmojnë në rritjen e radikalizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm. Federata ruse duhet ti japë sa më shpejt fund sulmeve ndaj civilëve dhe opozitarëve dhe duhet të përqendrohet në luftën kundër ISIS”.
Ndërkohë që në sulmet e djeshme u raportua për 36 civilë të vrarë Rusia i kundërshton duke pretenduar se sulmet e saj ishin vetëm kundrejt ISIS dhe organizatave të tjera.