SHBA dënojnë vrasjen në Mitrovicën e Veriut

Departamenti Amerikan i Shtetit ka dënuar vrasjen e mbrëmshme në Mitrovicën e Veriut të Dimitrije Janicijevic. Zëdhënësja Jen Psaki bëri thirrje për respektim të vullnetit demokratik të njerëzve në Kosovë.

Lajme

17/01/2014 00:18

Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka dënuar vrasjen e mbrëmshme të Dimitrije Janicijevic në Mitrovicën e Veriut dhe ka bërë thirrje te organet e hetuesisë në Kosovë që përgjegjësit e këtij aktit të sillen para drejtësisë.

“Shtetet e Bashkuara i bashkohen dënimit të Qeverisë së Kosovës dhe partnerëve ndërkombëtarë ndaj vrasjes së mbrëmshme të Dimitrije Janicijevic, ish kandidat për Kryetar dhe këshilltar i zgjedhur komunal në Mitrovicën e Veriut”, ka thënë Zëdhënësja e Departamentit Amerikan të Shtetit, Jen Psaki.

“Ne i shprehim ngushëllimet më të sinqerta familjes Janicijevic dhe u bëjmë thirrje autoriteteve të Kosovës që ta ndërmarrin një hetim të gjerë dhe të shpejtë dhe t’I sjellin përgjegjësit para drejtësisë”.

“Shtetet e Bashkuara nënvizojnë mbështetjen e tyre të fuqishme si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë në implementimin e plotë të marrëveshjes së 19 prillit të lehtësuar nga BE për normalizimin e marrëdhënieve- përfshirë themelimin e institucioneve legjitime, demokratike dhe efikase dhe forcimin e sundimit të ligjit në Kosovën veriore- në mënyrë që njerëzve që jetojnë atje t’u ofrohet një e ardhme më e mirë. Dhuna dhe kërcënimi nuk kanë vend në procesin politik dhe vetëm sa i pengojnë këto aspirata”.

“Ne kërkojmë nga të gjitha komunitetet dhe partitë politike në Kosovë që të punojnë bashkë për t’i ulur tensionet dhe për respektimin e vullnetit demokratik të njerëzve”, ka thënë Zëdhënësja Jen Psaki.