Shaqiri feston titullin

Mesfushori kosovar i Bayern Munichut, Xherdan Shaqiri ka publikuar një fotografi ku i shoqëruar nga bashkëlojtarë të tij, feston pranimin e titullit të kampionit në Bundesligë.

Sport

10/05/2014 19:56

Mesfushori i Bayern Munichut, Xherdan Shaqiri dhe bashkëlojtarët e tij kanë arsye për të festuar. Ylli kosovar me nënshtetësi zvicerane sot mori medaljen e dytë të njëpasnjëshme të kampionit të Bundesligës.

Gjiganti bavarez mposhti Stuttgartin me rezultat 1:0 në ndeshjen e xhiros së fundit, dhe Shaqiri – i cili nuk u paraqit fare për shkak se ende nuk është rikuperuar plotësisht nga lëndimi – shijoi festën pas ndeshjes, në ceremoninë e dorëzimit të trofeut.

Ai në rrjetin social Facebook ka publikuar një fotografi ku i shoqëruar nga Contento dhe Schweinsteiger, mbajnë në dorë trofeun, dhe festojnë triumfin.

Pas një jave ata mund të festojnë sërish, nëse Bayern mposht Borussia Dortmundin në finalen e Kupës së Gjermanisë.